Në shtator, zëvendës Kryeministri Niko Peleshi dhe ministri i Financave Arben Ahmetaj, me fjalime pompoze dhe fanfarë, njoftuan nga Ballshi se një investitor amerikan do të investojë 52 milionë euro në rafinerinë e Ballshit.
Sipas tyre, investitori, i cili mesa duket rafinerinë e ka marrë me “qera” nga Armo, do ta rivendosë atë në punë dhe do të punësojë 1 200 punëtorë të mbetur papunë. Gjithashtu, ai do të ndihmojë për shlyerjen e borxheve të mëdha të Armos.
Në të njëjtën ditë Kryeministri Rama lavdëroi publikisht arritjet e qeverisë, e cila kishte mundësuar gjetjen e një investitori “shumë serioz” për rafinerinë e Ballshit, i cili do të rregullojë gjithçka.
Në ceremoni mori pjesë edhe investitori “strategjik”-Harry Sargeant III, një shtetas amerikan nga Boca Raton, Florida.
Në Shqipëri Harry Sargeant III vjen si pronar i kompanisë Ionian Refining & Trading Company sh.a, e themeluar në Shqipëri në korrik të vitit 2016, e cila kontrollohet nga kompania mëmë e regjistruar në Ishujt Virgjinë Britanikë në fund të marsit 2016 dhe e administruar nga Ali Hasan Rahman, e cila ka regjistruar edhe një filial të saj në Shqipëri në mesin e muajit prill 2016.
Ali Hasan Rahman rezulton të jetë avokati i Global Oil Managment Group në Boca Raton, Florida, drejtori ekzekutiv i të cilës është Harry Sergeant III.
Si filiali shqiptar i shoqërisë offshore, si shoqëria aksionere janë të administruara nga Taulant Musabelliu. Kompania e ka selinë në zyrat e një biznesmeni nafte të njohur në vend, Besnik Sulaj, në katin e dhjetë të “Sky Tower”, apartamenti 102, ku kanë seli edhe kompani të tjera me të njëjtin administrator dhe me të njëjtin objekt veprimi.
Harry Sargeant III është një ish pilot i marinsave amerikanë, i cili pas 11 vitesh shërbim dhe pas një periudhe të shkurtër si pilot i linjës ajrore Delta Air, u bashkua me të atin për të administruar një flotë anijesh të specializuara në transportin e bitumit dhe aktivitete të tjera të lidhura me sektorin e naftës.
Goditjen e madhe ai e bëri në vitin 2004 me kompaninë e sapo themeluar International Oil Trading Company. Ai arriti të sigurojë nga Departamenti amerikan i Mbrojtjes një kontratë për furnizimin me karburant të ushtrisë amerikane në Irak, meqenëse furnizuesi i zakonshëm kishte probleme për të furnizuar rregullisht klientin.
Në fakt, kontrata me ushtrinë amerikane u sigurua vetëm pasi, përmes marrëdhënieve të tij me eksponentë të familjes mbretërore të Jordanisë, Harry Sargeant III arriti të marrë një leje ekskluzive kalimi tranziti nëpërmjet shkretëtirës së Jordanisë, korridor i domosdoshëm për furnizimin e ushtrisë amerikane në Irak.
Pas tre kontratave fitimprurëse, Sargeant vendosi që për kontratën e katërt me vlerë 2,7 miliardë dollarë të përjashtojë nga biznesi ortakun e tij jordanez, që i kishte mundësuar lejen e tranzitit në shkëmbim të ortakërisë në biznes. Për këtë qëllim, ai bën një kontratë me një kompani të kontrolluar prej tij dhe i kalon atij të gjitha fitimet e kompanisë që bënte tranzitin e naftës.
Në vitin 2008, ortaku jordanez, i cili është kunati i Mbretit të Jordanisë, e denoncoi Seargent për mashtrim në një gjykatë amerikane, dhe në vitin 2011, ai përfitoi një dëmshpërblim prej 29 milionë dollarë dhe 3,5 milionë dollarë interesa.
Gjatë procesit gjyqësor, pala jordaneze dëshmoi në gjyq dhe tregoi prova për pagesa me vlerë 50 milionë dollarë të kryera pa kontrata dhe pa asnjë motiv të dukshëm ndaj subjekteve jordaneze të lidhura me qeverinë.
Për këto fakte, Harry Sargeant III dhe shoqëritë e tij të shumta offshore, gati të gjitha të quajtura IOTC, fillojnë të hetohen për shkelje të ligjit kundër praktikave korruptive jashtë SHBA-ve, ligj i cili ndalon kompanitë amerikane t’i paguajnë bakshish zyrtarëve publik të cilitdo vend.
Lajmi bëri bujë në gazetat amerikane, sepse Harry Sargeant III njihet si një nga financuesit e mëdhenj të Partisë Republikane, në veçanti të kandidatëve republikanë për president Mitt Romney dhe John McCain. Pentagoni kontrolloi kontratat e fituara prej tij në Irak dhe deklaroi se ai ka abuzuar me ekskluzivitetin për kalimin tranzit në shkretëtirën e Jordanisë, duke rritur në mënyrë të pashpjegueshme çmimin e karburantit, dhe duke i shkaktuar buxhetit publik amerikan një dëm prej më shumë se 200 milionë dollarë.
Shoqëritë e Harry Sargeant III u vendosën në listën e zezë dhe nuk mund të marrin pjesë në furnizimin e enteve publike.
Ndërkohë, konflikti me ortakun jordanez vazhdoi. Jordanezi ka fituar disa çështje në gjykata të ndryshme amerikane, por edhe pse Gjykata e Floridës i ka dhënë 30 milionë dollarë dëmshpërblim, ai ka përfituar vetëm 31 500 dollarë. Arsyeja është se kompania IOTC e Harry Sargeant III vazhdon të mospaguajë, duke pohuar se nuk ka para të mjaftueshme për ta paguar, si pasojë e humbjes së kontratës pikërisht për shkak të humbjes së biznesit si pasojë e padisë së ortakut jordanez.
Beteja gjyqësore e Harry Sargeant III përfundoi më 8 shkurt 2016, kur Gjykata e Floridës, vendosi falimentimin e IOTC, e cila në atë moment kishte më shumë se 100 milionë dollarë borxhe, gjysma e të cilave ndaj ish-ortakut jordanez.
Ai erdhi në Shqipëri-nuk dihet se çfarë lidhje e solli këtu-tashmë për përpunimin në Shqipëri të lëndës së papërpunuar nga Bankers për të furnizuar me naftë tregun vendas.
Sargeant i premtoi qeverisë Rama një investim prej 52 milionë dollarë për të shpëtuar ARMO-n, shumë e njëjtë me atë që i detyrohet ish-ortakut Mohammad Al Saleh, kunatit të Mbretit të Jordanisë, Abd Allah Ibn Al Husayn.
Ministri Ahmetaj shtoi se 52 milionë dollarë është vetëm faza e parë e investimit, sepse kompania do të investojë edhe 100 milionë dollarë në fushën e gazit me kompaninë Transatlantik.
Që nga inaugurimi i bujshëm nga Kryeministri, atëherë kanë kaluar mbi dy muaj, por në rafinerinë e Ballshit nuk është investuar asnjë qindarkë dhe nuk ka ndryshuar asgjë.
Fatkeqësisht nga keqmenaxhimi i saj dhe mungesa e investimeve humbi jetën një punëtor dhe u plagosën pesë të tjerë.
“Exit.al”