Zjarret në të gjithë Amazonën braziliane kanë shkaktuar një protestë ndërkombëtare. Një vështrim mbi rolin që ka Amazona në rregullimin e klimës së botës shtron pyetjen: A është në rrezik furnizimi i botës me oksigjen?
Jo. Zakonisht thuhet se Amazona prodhon 20 për qind të oksigjenit në botë, shkencëtarët thonë se shifra është e gabuar dhe se furnizimi me oksigjen nuk është në rrezik të drejtpërdrejt në asnjë rast.
Kjo, sepse pyjet, përfshirë Amazonën, thithin përafërsisht të njëjtën sasi oksigjeni që prodhojnë. Bimët prodhojnë oksigjen përmes fotosintezës (shndërrimi i energjisë së dritës diellore në energji kimike nga organizmat e gjalla), por ato gjithashtu e thithin atë për t’u rritur, sikurse kafshët dhe mikrobet.
Por, kjo nuk do të thotë se zjarret nuk janë problem për planetin. Amazona është një absorbues i rëndësishëm i dioksidit të karbonit, një gaz serë që prodhohet nga djegia e karburanteve, siç janë nafta dhe qymyri.
A është Amazona “mushkëria e planetit”?
Pyjet e Amazonës shpesh quhen “mushkëritë e planetit”, por kjo mund të mos jetë ngjashmëria më e saktë për rolin e saj.
Carlos Nobre, një shkencëtar i klimës nga Universiteti i Sao Paulo, thotë se një mënyrë më e mirë për të parë rolin e Amazonës është si një lavaman, që e kullon dioksidin e karbonit duke bllokuar nxehtësinë nga atmosfera.
Aktualisht, bota lëshon rreth 40 miliardë ton dioksid të karbonit në atmosferë çdo vit. Amazona thith 2 miliardë ton në vit (ose 5% të emetimeve vjetore), duke e bërë atë një pjesë thelbësore për të parandaluar ndryshimet klimatike.
Çfarë ndikimi kanë zjarret në Amazonë në klimën e botës?
Zjarret në pyjet e Amazonës jo vetëm që po zhdukin rajonin që thith dioksidin e karbonit, por vetë flakët po lëshojnë miliona tonë karbon çdo ditë. Shkencëtari Nobre thotë se ne jemi afër një “pike të kthesës” që do ta shndërronte xhunglën në një savanë tropikale.
Pyjet e riciklojnë ujin e vet për të prodhuar një pjesë të shiut në rajon, kështu që shpyllëzimi bën që shirat të jenë më të rralla, duke zgjatur sezonin e thatë. Nobre vlerëson se nëse 20 deri 25% e pyllit shkatërrohet, sezoni i thatë do të zgjerohet, kështu që nuk do të jetë më një pyll, por një savanë.
“Për fat të keq, ne tashmë po shohim shenja që Amazona të kthehen në një savanë”, tha ai, duke përmendur sezonet e thata gjithnjë e më të gjata. “Kjo nuk është thjeshtë një teori, por kjo tashmë po ndodh”.
Çfarë po i shkaktojnë zjarret?
Zjarret aktuale në Amazonë nuk janë zjarre të egra. Ato po shkaktohen nga dora e njeriut, kryesisht në mënyrë të paligjshme nga ata që po e përgatisin tokën për bagëti dhe për mbjellje.
Shpyllëzimi i Amazonës është një proces i gjatë dhe i ngadaltë. Njerëzit e pastrojnë tokën duke prerë bimët gjatë sezonit të reshjeve, duke lënë pemët të thahen dhe digjen gjatë sezonit të thatë.
“Kur flas për shpyllëzimin e shekullit 21, kjo nuk do të thotë se dikush është drejtuar në pyll me një sharrë elektrike”, tha studiuesi i NASA-s, Doug Morton. “Unë e kam fjalën për traktorë të lidhur me zinxhirë të mëdhenj. Ata po nxjerrin pemët nga rrënjët e tyre”, tha ai.
Ai tha që studiuesit kanë mundur të shohin grumbuj pemësh në imazhet satelitore.
“Ato po digjeshin në një zjarr të madh, pasi ishin tharë në diell për disa muaj”, deklaroi Morton.
“Ajo që ka ndryshuar është diskursi politik”, tha Nobre. Presidenti i Brazilit, Jair Olsonaro ka ulur fuqinë dhe autonominë e agjencive për mbrojtjen e pyjeve.
“Përhapja e zjarreve po ndodh sepse njerëzit mendojnë se përmes zbatimit të ligjit nuk do të ndëshkohen”, tha shkencëtari Nobre/REL.