Cillessen pason Bravon te Barcelona

Barcelona nuk humbet kohë. Pak orë pas zyrtarizimit të Claudio Bravos te Manchester City, klubi katalanas bën me dije nënshkrimin e kontratës me holandezin, Jasper Cillesen. 13 milionë euro është shuma që do të derdhë klubi katalanas në arkën e Ajaxit për transferimin e gardianit që do të nisë një aventurë të re në “Camp Nou”, ku fillimisht do të ngrohë stolin, pasi zgjedhja e parë e trajnerit Luis Enrique mbetet gjermani Ter Stegen. 27-vjeçari ka nënshkruar për 5 sezone me skuadrën Blaugrana dhe sipas burimeve mediatike, klauzola e largimit të tij është 60 milionë euro.
Menjëherë pas ndeshjes së Champions League në Rusi kundër Rostovit, Cillessen fluturoi drejt Barcelonës, ku finalizoi marrëveshjen dhe gjatë ditëve të ardhshme do të vihet nën urdhrat e trajnerit për të nisur punën me skuadrën e tij të re. Prezantimi i 27-vjeçarit do të bëhet në orën 11:00 të ditës së premte në qendrën stërvitore të Barcelonës. Menjëherë pas zyrtarizimit të transferimit, Cillesen është shprehur shumë i lumtur dhe nëpërmjet një mesazhi të publikuar në faqen e tij në Twitter ai shkruan: NEC, Ajax, FC Barcelona, një ëndërr e bërë realitet.

Exit mobile version