Neritan Vladi*
Politika e vjetër bën sondazhe të përjavshme. Dhe këtë e bën pasi gjithë javën e ka bombarduar shoqërinë me propagandën e vetë mediatike, pikërisht për gjërat që do ti pyes shqiptarët në sondazhin e radhës. Dhe kuptohet që pas kësaj merr si përgjigje nga sontazhi, atë që ka propaganduar po vetë në mediet e veta.
Pra cikli është i mbyllur: I hedhin turmës kockën që ja kanë imponuar po vetë dhe marrin si “pëlqim nga opinioni”, po kockën e tyre të vetme!
Këtë gjë bën Rilindja dhe po të njëjtin model mundohet të bëjë, edhe e vetëquajtura opozita e Rithemelimit, e cila po shkon me shpejtësi drejt degradimit.
Domethënë këta politikanë të së shkuarës i ofrojnë publikut gjoja atë që do shoqëria, (të cilën ja kanë imponuar po vetë këta me propagandë ku hidhen miliona), por jo atë çfarë i duhet shqiptarëve.
Ndaj Partia Demokratike si opozitë e qenësishme, e ndarë përfundimisht dhe e pa kompleksuar nga e shkuara korruptive e një pjese të saj kur ka qenë në pushtet, e çliruar nga frika e punës së SPAK dhe drejtësisë së re, e pozicionuar qartë si properëndimore, duhet që ti ofrojë shoqërisë shqiptare, vetëm dhe pikërisht atë që i duhet asaj dhe jo cirqe propagandistike dhe telenovela që mund të argëtojnë turmat, të cilat si finale vetëm mbajnë në pushtet këtë qeverisje të korruptuar deri në qelizë.
Në pamje të parë kjo duket e vështirë, por kurrsesi e pamundur!
Fakti që një masë e madhe njerëzish, (Rreth 60% e votuesve), vazhdojnë që të refuzojnë që prej shumë palë zgjedhjesh që të dalin dhe të votojnë, do të thotë që shqiptarët janë inteligjentë dhe nuk mund ti mashtrojë më politika e vjetër e, cila i ka varfëruar në maksimum pavarësish nga ngjyra e flamujve, rozë apo blu.
Kjo politikë e vjetër e cila pasi i harxhoj të gjitha energjitë gjatë 32 vitesh demokraci për të grabitur shqiptarët, sot po i harxhon për të mbrojtur plaçkën dhe rezistuar ndëshkimit nga drejtësia e re, arrin deri aty sa që ti poshtërojë dhe fyejë shqiptarët publikisht.
Sipas tyre ata nuk janë gati për politikanë perëndimorë, ndaj duhet që të vazhdojnë që të kenë mbi krye edhe për shumë kohë, po këta!
Po këta që bëjnë sikur u qajnë hallin demokratëve, socialistëve dhe shqiptarëve të varfër në konferenca e nëpër studio televizive,( por mendjen e kanë vetëm te hallet e tyre me SPAK), të thonë që shqiptarët duan vetëm lider të fortë, (të dhunshëm) , lider që të bëj një 97 –të, apo një 21 janar, siç bënë Rama dhe Berisha secili në mënyrën e vetë.
Nuk e kuptojnë, (ose më saktë bëjnë sikur nuk e kuptojnë), se njerëzit nuk i ndjekin më, pikërisht për atë që kanë qenë gjatë këtyre 32 viteve dhe për atë që janë sot. Po njësoj, të pandryshuar me të njëjtën skemë mashtruese dhe të njëjtën gjuhë lufte, përçarje, kërcënime dhe mbjellje urrejtje edhe brenda llojit demokrat apo socialistë.
Varfëria që ju ka shkaktuar kjo klasë e vjetër politike ju ka hapur sytë dhe mendjen shqiptarëve, ndaj nuk e fshehin më që e neverisin këtë model. Prandaj ikin çdo ditë e më shumë nga vendi, ose refuzojnë që të dalin për ti votuar sërish.
Në këtë situatë misioni i Partisë Demokratike dhe i liderit të saj zotit Lulzim Basha, është vetëm një dhe fare i qartë:
Ti japim shoqërisë shqiptare zgjidhje përfundimtare për mbylljen e tranzicionit lëngues 32 vjeçarë politik- ekonomik, i cili mbolli vetëm korrupsion, krim të organizuar dhe pasurim jashtë çdo imagjinate të një elite të vogël.
PD nuk duhet që të joshet për tu bërë pjesë e cirkut, telenovelave dhe valles dyshe që hedhin grupimet Rama-Berish&Bardhi. Shqiptarët kërkojnë në mënyrë ekzistenciale zgjidhje politike, për ti dhënë fund kapjes së votës, kryetarokracisë, politikës si biznes për tu pasuruar, politika perëndimore ekonomike- sociale, etj.
Ata që argëtojnë turmat në parlament, konferenca për mediet dhe studio televizive, le të vazhdojnë që ta bëjnë këtë, deri sa komedia që po na japin tu kthehet në tragjedi që luhet te SPAK dhe Gjykata e Posaçme, për të përfunduar te burgu i VIP-ave në Reç.
Partia Demokratike, anëtarët e riorganizuar dhe ekipi i saj drejtues me zotin Basha në krye që aktualisht po priten si shpresë e Shqipërisë post tranzicion në SHBA, nuk kanë punë me këtë cirk.
Cirku, Rama-Berisha, me sytë gjithë ankth nga SPAK, PD me mendje dhe veprim vetëm nga shqiptarët e thjeshtë, që presin ndryshimin e madh!
*Anëtarë i Këshillit Kombëtarë të PD