City arrin rekordin e fitoreve

Manchester City ka arritur fitoren e 15-të radhazi në Premier League, duke vënë një rekord të ri në Angli, pasi më parë kishte qenë Arsenal që kishte arritur 14 fitore të njëpasnjëshme. Suksesi ndaj Swansea pati si protagonist spanjollin David Silva, i cili shënoi golin e parë dhe të tretë në fitoren 4-0, që e konsolidon skuadrën e Pep Guardiola, në vendin e parë, me 11 pikë më shumë se Manchester United. Pati lavdi edhe për Kevin de Bryune, autor i golit të dytë, si dhe për Sergio Aguero, që realizoi golin e katërt për “qytetarët”.
Ndërkohë, goli i shënuar nga Romelu Lukaku, në mesin e pjesës së parë, i ka dhënë Manchester United fitoren e ngushtë 1-0 ndaj Bournemouth, që i konsolidon “djajtë” në vendin e dytë të Premier League. Në një ndeshje që u luajt në një shi të rrëmbyeshëm, të besuarit e Mourinho mund të kënaqen vetëm me rezultatin e jo me lojën. Nga ana tjetër, Liverpool “ngec” në shtëpi kundër West Brom. Në barazimin 0-0 në “Anfield Road”, “të kuqtë” koleksionuan një “mal” me raste për shënim, por pa gjetur golin e fitores.

Exit mobile version