City shkatërron Realin

Humbje e rëndë e Realit të Madridit me Manchester City-n në Champions Cup. Kampionët e Spanjës pësuan katër gola në “Memorial Coliseum” të Los Angelesit, aty ku skuadra e Pep Guardiolës shpërtheu në pjesën e dytë, ndërsa finalizimi i Arnaiz Oscar në limitet e kohës së rregullt thjesht vlejti për statistikë. Pas një pjese të parë që përfundoi me rrjeta të paprekura Manchester City hapi serinë e golave në të 52-ën me Otamendin, ndërsa 7 minuta më vonë Sterling i shërbyer nga De Bruyne realizoi të dytin. Pas minutës së 60-të Zidane i zëvendësoi të gjithë futbollistët që e nisën titullarë me elementë të rinj, duke i dhënë mundësi City-t të shënonte edhe dy gola të tjerë me Stones dhe Diaz. Pak sekonda para se të mbyllej koha e rregullt, Los Blancos realizuan golin e nderit me Arnaiz Oscar.
Zinedine Zidane, trajneri i Real Madridit, ka komentuar humbjen nga Manchester City, me rezultat 4:1.
Trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane e pranon se ekipi i Pep Guardiolas ishte superior ndaj tyre. “Unë nuk jam i kënaqur me humbjen. Ishte një rezultat i keq, por nuk ishte një lojë e keqe. Ne jemi të mërzitur, por ne jemi duke u përgatitur. Ata ishin superiorë në momente të rëndësishme dhe kjo është ajo që ka ndodhur”, ka deklaruar Zidane.
“Manchester City është një ekip që është forcuar dhe këtë e treguan. Ai është një ekip i mirë”, ka theksuar trajneri francez, i cili e humbi ndeshjen e parë në përballje me Pep Guardiolën.
Ndërkohë Barcelona, kundërshtarja e radhës e Realit në El Clasicon e 3 gushtit, triumfoi 1-0 me Manchester United në “Fedex Field” të Landoverit. Goli që u dha tri pikë blaugranave u shënua nga Neymar në minutën e 31, me rezultatin që nuk ndryshoi deri në vërshëllimën e fundit të kryesorit. Edhe një herë ylli brazilian rezultoi vendimtar për skuadrën e Ernesto Valverdes, në kulmin e zërave për transferimin e mundshëm të tij te PSG.
Skuadra franceze ndërkohë u mposht 3-2 nga Juventusi, falë një dygolëshi të Marchisios në fundin e sfidës. Pjesa e parë u mbyll me avantazh minimal të kampionëve të Italisë, pas një kombinimi mes Dybalasë dhe Higuainit, me këtë të fundit që e dërgoi topin në rrjetë.
Parisi barazoi në të 53-ën me Guedes, por vetëm 9 minuta më vonë bardhezinjtë rikthyen avantazhin në 2-1 me golin e Marchisios. Pastore i çoi shifrat në 2-2 në të 80-ën, për të ardhur më pas te 11-metërshi i shndërruar në gol nga Marchisio pak para përfundimit të këtij takimi.

Exit mobile version