“Civilët janë shumë më mirë të armatosur se policia”- Analiza e DW: Çarmatimi i Serbisë, fushata e (pa)suksesshme

Pas fushatës së çarmatimit në Serbi, numri i armëve legale u zvogëlua me 190.000 copë. Por në qarkullim kanë mbetur edhe shumë armë të tjera ilegale.

“Ne të gjithë e dimë se të gjithë kemi armë, por askush nuk do t’jua pranojë këtë”, thotë për DW Ivan M.* (38) nga Novi Sadi. Familja e tij nuk dëshiron të flasë se çfarë lloj arme posedon.

Ivona R.* (40), një grua nga Novi Sadi, gjithashtu pranon se ka një armë që e ka trashëguar nga babai i saj i ndjerë. Edhe Goran P.* (59), nga një qytet i vogël në Vojvodina, ka pasur një armë, siç thotë ai, pothuajse gjithë jetën. Ata të gjithë bëjnë jetë të qetë. Siguria e tyre nuk është në rrezik. Por posedimi i armëve në Serbi nuk është rezultat i një kërcënimi real të sigurisë, është një çështje e traditës.

“Vlerësohet se civilët tanë janë shumë më mirë të armatosur se policia,” tha për DW ekspertja e sigurisë Branislava Kostiç, që shihet në dasmat tona, festimet dhe të ngjashme.

Këtë e vërtetojnë vlerësimet e projektit hulumtues zviceran “Small Arms Survey” nga viti 2018, sipas të cilit, Serbia është e treta në botë për sa i përket armatimit civil – pak pas Jemenit dhe SHBA-së me mbi 39 armë të lehta për çdo njëqind banorë, që është tre herë e gjysmë më shumë se të dhënat zyrtare të shtetit.

Me bombë në treg

Mirëpo, kur në majin e kaluar ndodhën dy vrasje masive, ku mbetën të vrarë 17 persona dhe u plagosën 21 të tjerë, u duk se për një moment ndryshoi disponimi ndaj armëve. Shteti miratoi një sërë masash që shpallnin çarmatimin në shkallë të gjerë të Serbisë.

Një aksion dy mujor gjatë të cilit qytetarët u ftuan të dorëzojnë armët pa pasoja dhe pa përgjegjësi penale, ka rezultuar në dorëzimin e 82.398 armëve të zjarrit, 4.243.139 copë municion dhe 26.485 mjete shpërthyese. Ministria deklaroi se ishte aksioni më i suksesshëm i kryer ndonjëherë.

“Ajo që nuk ishte mirë, ishte mënyra se si janë sjellë ato armë, sepse kemi informacione se njerëzit kanë bartur bomba në transportin publik. Duhej organizuar në një mënyrë më të sigurt, që ekspertët të merrnin armët”, shpjegon për DW, Marina Kostiç Shulejiç nga Shoqata Profesionale e Sektorit të Sigurisë.

Gjatë fushatës, qytetarët paraqitën një sërë situatash absurde në rrjetet sociale, duke treguar se si mbanin pistoleta në çantat e tyre, më pas rrugës për në punë apo pasi bënin pazar në treg, ndaloheshin në polici për të lënë armët. Ata dëshmuan gjithashtu se kanë pritur në radhë para sportelit të policisë për një orë e gjysmë së bashku me shtetas të tjerë të “armatosur”.

“Problemi i dytë është se ato armë nuk ruhen në mënyrë të sigurtë pasi janë pranuar në stacionet e policisë”, shton Branislava Kostiç për armët që nuk janë përditësuar, të renditura, të regjistruara.

Polici vodhi 272 pistoleta

Një nga shembujt e neglizhencës është rasti i një polici nga Nishi, i cili vodhi 272 pistoleta të cilat ishin dorëzuar në stacion gjatë operacionit. Siç shkruan mediat vendase, informacionet fillestare ishin se mungonin 63 pistoleta, ndaj për shkak të të dhënave të dobëta, ka pasur një proces të gjatë tenderimi se sa pistoleta janë vjedhur në të vërtetë.

Abuzimet janë të mundshme, sepse aksioni është kryer papritur dhe pa procedura të hollësishme se çfarë të bëhet me armët e grumbulluara, beson Marina Kostiç Shulejiç. Prandaj shoqata e saj i bën thirrje MPB-së: “Nuk kemi informacione nëse ato armatime janë shkatërruar apo janë ruajtur diku apo ndoshta janë shitur dhe shpërndarë diku tjetër. Ne thjesht nuk e dimë se çfarë ndodhi me kaq shumë armë të mbledhura”.

Nuk ia vlen

Bashkëbiseduesit tanë nuk ia dorëzuan armët policisë, por për këtë arsye policia iu foli në procesin e rishikimit të lejeve për mbajtjen e armëve. Goran P.* thotë se përvojat e tij me policinë kanë qenë shumë të këndshme.

“Ata erdhën, shpjeguan gjithçka bukur dhe më doli që do të duhej të paguaja rreth 200 euro për ta mbajtur armën”, thotë Gorani. “Prandaj ua kam dorëzuar armën dhe do ta blej lehtësisht një tjetër ilegalisht”. Çfarë rëndësie ka”.

Ekspertet femra me të cilat biseduam nuk habiten nga një qëndrim i tillë. Branislava Kostiç thotë se përllogaritjet janë se numri i rasteve të tilla mund të shkojë deri në 80.000, sepse njerëzit nuk duan të paguajnë taksa, por duan të kenë armë.

Rezultatet e masave të qeverisë, të cilat tregojnë se nga 766.665 armë të regjistruara menjëherë pas vrasjes, ky numër ka rënë në 575.695 sot, pra mund të jenë vetëm maja e ajsbergut, sepse të gjitha argumentet e tjera mbështesin tezën se numri i armëve pa leje po rritet në të njëjtën kohë.

“Ne shohim edhe rritjen e numrit të armëve në rrugë, që do të thotë se ka më shumë të tilla në tregun ilegal”, thotë Kostiç Shuleji. Shumë armë po shkojnë në Ukrainë, kështu që mund të ndodhë që disa nga këto armë të kthehen prapë ilegalisht.”

Nuk ka ulje të dhunës në një shoqëri

Megjithatë, disa nga masat e shpallura nga qeveria pas vrasjeve masive nuk janë zbatuar. Hulumtimi i Qendrës së Beogradit për Politikë të Sigurisë (BCBP) tregon se shteti ka hequr dorë nga shtrëngimi i kushteve për marrjen e armëve, si dhe nga futja e një kontrolli të detyrueshëm gjashtëmujor shëndetësor për personat e armatosur, pasi këto dy masa do të kërkojnë një ndryshim në Ligjin për Armë dhe Municion. Nga ana tjetër, ashpërsimi i paralajmëruar i dënimeve për armëmbajtje pa leje dhe futja e një vepre penale që do të dënonte këdo që lejon fëmijët të posedojnë armë, do të kërkonte ndryshime në Kodin Penal.

Pra, a ka lëvizur ndonjë gjë nga pozicioni fillestar? “Për pyetjen kulturore, evropiane nëse luftërat, por edhe këto vuajtje e tmerre që ndodhën, na kanë mësuar se sa probleme lidhen me armëmbajtjen, përgjigja është: Jo, sigurisht që jo. Grumbullimi i armëve tregoi se armët më së shpeshti i kthenin të moshuarit, jo të rinjtë, sepse kishin frikë për fëmijët dhe nipërit e tyre. Megjithatë, të rinjtë nuk kishin nevojë të kthenin armët”, thotë Branislava Kostiç.

Ministria e Punëve të Brendshme nuk është përgjigjur për pyetjen, nëse të dhënat statistikore tregojnë ulje të dhunës në shoqëri. Edhe një rishikim sipërfaqësor i faqeve të para të mediave tregon se dhuna e bashkëmoshatarëve nuk ndalet, se shkalla e lartë e femicideve vazhdon të regjistrohet, se kronika e zezë është përplot.

“Nuk mund të zgjidhet një formë e dhunës, derisa nuk zgjidhet problemi i një shoqërie që mbijeton me dhunë”, vlerëson Branislava Kostiç, “Njerëzit tashmë janë mësuar me faktin se kushdo që ka pushtet ka mundësi të shkelë të gjitha të drejtat tuaja. një nga karakteristikat e një shoqërie të dhunës. Padyshim që ne po bëhemi shoqëri e dhunës me shumë karakteristika, e një nga ato është se me kalimin e kohës njerëzit e pranojnë dhunën si normale”, përfundon Kostiç./DW

Exit mobile version