Clement Atlee: Lufta sekrete e antiChurchill

Sot Clement Attlee konsiderohet gjerësisht si një lider i madh socialist, por nga arkivat po del një anë e panjohur e Kryeministrit që mundi Winston Churchill në zgjedhjet e vitit 1945: ajo e një politikani fuqimisht antikomunist dhe i gatshëm që të përdorë sabotazhin dhe subversionin për të sulmuar bllokun sovjetik.
Mbrëmjen e 3 tetorit 1949, gomonet e një skuadre antikomunistësh të armatosur arritën brigjet shkëmbore të gadishullit shqiptar të Karaburunit, një rrip i ngushtë toke që zgjerohet në Adriatik. Njerëzve u qe besuar një detyrë e rrezikshme dhe e vështirë: të ndërtonin rrjete inteligjence në Shqipëri dhe të stërbvisnin opozitarët e regjimit për “qëllime kryengritëse”. Objektivi afatgjatë, akoma edhe më ambicioz, ishte në fakt përmbysja e regjimit komunist të diktatorit shqiptar Enver Hoxha dhe, duke vepruar kështu, të hapej e çara e parë në një bllok sovjetik në duke i papenetrueshëm. Megjithëse njerëzit që zbarkuan në Gadishullin e Karaburunit qenë edhe ata shqiptarë, misioni për të cilin po zbarkonin – Operacioni “Valuable” – ishte në të gjitha aspektet një krijesë angloamerikane. “Valuable” ishte një ide e agjencisë së spiunazhit të jashtëm të Britanisë së Madhe (SIS ose MI6) dhe e Office of Policy Coordination (OPC) amerikane, përgjegjëse e operacioneve sekrete speciale. Përpara misionit, rebelët kishin kaluar disa javë në Maltë – koloni britanike – për një stërvitje në teknikat e sabotazhit dhe të subversionit. Por mbi të gjithë Operacioni “Valuable” nuk mund të ndalej sapo të kishte marrë autorizimin e njerëzve më të fuqishëm të Uashingtonit dhe Londrës, midis të cilëve Ernest Bevin dhe Clement Attlee. Bevin, Ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe, kishte deklaruar se Operacioni “Valuable” do të “jepte frute të mira”. Edhe Clement Attlee i dha mbështetjen e tij të plotë, duke arritur deri sa të sugjerojë përdorimin e korrupsionit: “A nuk janë në shitje shqiptarët?”, pyeti Ministrin e Jashtëm.

Spiunazh antikomunist
Mbështetja e Attlee ndaj operacioni sekret të SIS-it në Shqipëri mund të befasojë. Në fund të fundit, Attlee konsiderohet gjerësisht si Kryeministri më i madj socialist britanik, idhtar i shërbimit shëndetësor kombëtar dhe i shtetit social, njeri që i ka hapur rrugën shtetëzimeve, ndërsa botët e fshehëta të spiunazhit e të inteligjencës përgjithësisht nuk gëzojnë reputacion të mirë. Në të vërtetë, në rastet e rralla në të cilat historianët merren me argumentin, të influencuar nga pohimet sipas të cilave në vitet ’20 anëtarët e MI5-ës dhe të SIS-it kishin kërkuar ta dobësonin qeverinë e parë laburiste, që Attlee nuk i besonte aspak inteligjencës britanike kur hyri në Numrin 10 të Doëning Street në korrikun e 1945. Megjithatë, dokumenta qeveritarë lidhur me çështje në lëmin e sigurisë tani në dispozicion rrëfejnë një histori krejtësisht tjetër. Del në dritë një njeri fuqimisht i interesuar për atë që MI5-a dhe SIS-i mund të bënin për vendin dhe – ndoshta edhe më e habitshme për një politikan të majtë – që ushqente një urrejtje të thellë ndaj komunizmit.
Padyshim, Attlee kishte mësuar për rëndësinë e inteligjencës gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur shërbeu në kabinetin e luftës të Winston Churchill, fillimisht si Lord Privy Seal dhe më pas si Zëvendëskryeministër. Në majin e 1940, menjëherë pasi ka ardhur në post, në dritën e dështimit të operacionit anglo – francez për mbrojtjen e Norvegjisë nga gjermanët, kërkoi një “rishikim të plotë” të shërbimeve të inteligjencës. Po atë muaj, dora dorës që në Britaninë e Madhe rritej frika prej një kolone të pestë në vijim të pushtimit të Francës dhe të Vendeve të Ulëta nga ana e Gjermanisë, Attlee u ngarkua që të takohej me Guy Liddell, Zëvendësdrejtor i MI5-ës, përgjegjës i Kundërspiunazhit, për të diskutuar lidhur me internimin e fashistëve dhe armiqve të huaj. Attlee ishte dakord me pohimin e MI5-ës, sipas të cilit “të drejtat e qytetarëve, liria e fjalës etj. qenë të të rëndësishme në kohë paqeje, por nuk shërbenin aspak për të luftuar nazistët”.
Me rëndësi parësore, sidomos për atë që do të ndodhte paslufte, qe fakti që Attlee lexoi edhe raportet sipas të cilave anëtarët e Partisë Komuniste të Britanisë së Madhe (CPGB), pavarësisht “aleancës së madhe” gjatë luftës, po i kalonin fshehurazi informacione Bashkimit Sovjetik. Ishte shenjë e asaj që do të ndodhte më pas. Kur ujërat u qetësuan pas Luftës së Dytë Botërore, Komiteti i Përbashkët i Inteligjencës (JIC) i Britanisë së Madhe parashikoi një kuadër akoma më të zi të raporteve midis Mbretërisë së Bashkuar dhe ish aleatit, Bashkimit Sovjetik. Në vitin 1946, JIC-ja ishte akoma optimist lidhur me mundësinë që Stalini të punonte me palët perëndimore, megjithëse duke pranuar se sovjetikët do të adoptonin një politikë “agresive, se do të përdorte çdo mjet përveç luftës” në rast se do kërcënoheshin. Megjithatë, një vit më vonë, Komiteti i Përbashkët i Inteligjencës mendonte se sovjetikët donin të “përshpejtonin shkatërrimin e kapitalizmit në të gjithë botën”. Në vitin 1948, Moska ishte tashmë në mënyrë të parevokueshme armiqësore ndaj Perëndimit.

Kërcënimi i “kuq”
Megjithëse fillimisht qenë të impenjuar për të ruajtur raporte të mira me Moskën, Attlee dhe aleatët e tij i lexonin me preokupim në rritje raportet e SIS-it rreth “subversionit, sabotimeve dhe sulmeve” të Bashkimit Sovjetik. Veç kësaj, Attlee ishte i preokupuar nga vështirësitë që shërbimet e inteligjencës britanike po hasnin në penetrimin e Perdes së Hekurt. Për këtë arësye, i kërkoi Sër Norman Brook, Sekretarit të Kabinetit, një rishikim të aparaturave në zotërim të inteligjencës dhe të fillonin profesionalizimin e komunitetit të inteligjencës të Britanisë së Madhe për pasluftën. Pavarësisht vizioneve socialiste, Attlee e refuzonte kategorikisht idenë se Bashkimi Sovjetik qe një utopi e punëtorëve, një opinion i pranuar në fakt nga shumë eksponentë të së majtës britanike. Një antipati e ngjashme donte të thoshte se mund të ishte i prerë në dënimin e tij ndaj Rusisë së Stalinit. Në vitin 1939, ai sulmoi “imperializmin ideologjik” të Internacionales Komuniste (një organizatë për përhapjen e komunizmit në të gjithë botën) dhe, në një diskutim me laburistët në janarin e 1940, e krahasoi komunizmin sovjetik me nazizmin. Për Attlee, Partia Komuniste e Britanisë së Madhe ishte “kukulla e ventrilokut Stalin”.
Në vitin 1953, në përgjigje të kritikave të një vetenrani antikomunist si Senatori “Joe” McCarthy, Attlee shfaqi të gjithë irritimin e tij ndaj “marrjes së leksioneve nga një fillestar”, duke pohuar me krenari se “prej rreth 40 vjetësh Partia Laburiste Lufton komunizmin në Britaninë e Madhe dhe pavarësisht luftës e krizës ekonomike, komunistët kanë dështuar krejtësisht”. Pozicioni antikomunist i Attlee përputhej me preokupimin në rritje të MI5-ës lidhur me spiunazhin dhe subversionin e komunistëve. Në majin e 1945, një oficer me gradë të lartë i MI5-ës vërejti se Partia Laburiste më shumë sesa t’u kundërvihej operacioneve të tyre sekrete, do të kishte qenë “shumë më e interesuar” ta përdorte shërbimin e inteligjencën sesa konservatorët. Si Partia Laburiste, ashtu edhe MI5-a donin të gjenin kriptokomunistët. Në atë kohë flitej për praninë e “8 apo 9” komunistëve të fshehtë në Partinë Laburiste. Atlee donte të dinte më shumë. në vitin 1946, Liddell, në atë kohë Zëvendës Drejtor i Përgjithshëm i MI5-ës, shënon në ditarin e tij se Kryeministri donte “informacione të sigurta” lidhur me parlamentarët e sipërcituar.
Attlee donte të ishte i sigurtë që këta parlamentarë “të mos mbanin pozicione ku do të mund të përbënin një rrezik” për shtetin. Nga sa mësojmë prej dokumentave të MI5-ës, Attlee pa emrat e parlamentarëve të ndryshëm laburistë, midis të cilëve Geoffrey Bing dhe Wilfred Vernon. Bing kishte shërbyer në Royal Corps of Signals deri në gradën major, por e kaluara e tij (kishte qenë anëtar i grupit ligjor, por sekret, të Partisë Komuniste) e pengoi që të merrte një pozicion më të rëndësishëm. Kurse Vernon kishte spiunuar për inteligjencën sovjetike në vitet ’30, teksa punonte për Royal Aircraft Establishment në Farnborough. U tha se Attlee u “trondit shumë”.
Frikërat për “simpatizantët” fituan një shtytje të re në vijim të dezertimit të Igor Gouzenko, një i ngarkuar me kodet e shifruara që punonte për inteligjencën ushtarake sovjetike (GRU) në Kanada dhe që hodhi dritë i pari mbi operacionet e inteligjencës sovjetike disa javë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Attlee ishte plotësisht në korrent të thënieve të Gouzenko për sa i përket një rrjeti spiunësh, midis të cilëve doktoresha britanike Alan Nunn May, e arrestuar dhe e dënuar me 10 vjet burg në vitin 1946.

Një linjë e ashpër
Qeveria Attlee reagoi duke zbatuar një seri të parë kontrollesh në disa sektorë të administratës publike. Në vitin 1947, një grup ministrash – Komiteti Qeeritar për Veprimet Subversive – rekomandoi ndalimin e komunistëve dhe fashistëve që të mbanin poste falë të cilave mund të “kishin akses në informacione realisht sekrete”. Attlee ishte dakord. “Nuk mund t’ia lejojmë vetes që të rrezikojmë dhe qytetarët do të na mbështesin” deklaroi ai. “Simpatizantët mund të protestojnë, por ne duhet ta përballojmë situatën”. Një vit më vonë, Kryeministri referoi në Dhomën e Komuneve – pavarësisht protestave të parlamentarit komunist Willie Gallacher – se përkatësia në Partinë Komuniste parashikonte “pranimin e një besnikërie, që në disa rrethana mund të jetë armiqësore ndaj shtetit”.
Në vitin 1951, qeveria Attlee po adoptonte një linjë gjithnjë e më të ashpër, pjesërisht prej presioneve nga Shtetet e Bashkuara, duke filluar të ushtrojë kontrolle më të rrepta e më të ngurta për të mbrojtur “shtetin sekret” e Luftës së Ftohtë të Britanisë së Madhe. Jashtë vendit, fillimisht Attlee u tregua më i matur. Megjithëse raportet midis Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Sovjetik kishin nisur të përkeqësoheshin në vitin 1946, qeveria nuk ishte e gatshme që t’i ndërpriste plotësisht. Por në diskutimin për vitin e ri të vitit 1948, Attlee bëri një dallim të prerë midis demokracisë socialiste britanike dhe bllokut sovjetik, ku kundërshtimit i mbyllej goja. Ky sulm publik ndaj Moskës nuk qe gjë tjetër veçse fillimi i një politike të re propagandistike e avancuar nga organizata antikomuniste e Foreign Office, Information Research Department (IRD).
Nga ai moment, qeveria laburiste u impenjua që t’u japë “informacioneve miqve jashtë vendit” dhe t’i ndihmojë në “luftën kundër komunizmit”. Kritika më e ashpër ndaj Stalinit akoma nuk po ndodhte. Në janarin e 1948, gjatë një debate lidhur me punët e jashtme, deklaroi: “Jemi fuqimisht kundër stilit komunist të jetës. Shteti policor është krejtësisht i përçmuar për njerëzit e Europës Perëndimore”. Qe po aq kritik ndaj “të majtës” – partisë komuniste dhe laburistëve pa poste qeveritare – që “mbyll sytë ndaj mungesës së të drejtave të njeriut në Europën Lindore… Kush mohon të drejtat e njeriut nuk ka të drejtë të pohojë se është në pararojë përsa i përket avancimit njerëzor. Dhe në fushën e të drejtave të njeriut, Rusia dhe Europa Lindore është pak të thuash se kanë mbetur prapa”.

Operacione sekrete
Por vetëm fjalët nuk mund të mjaftonin. Në vitin 1948, me hyrjen e Çekosllovakisë në bllokun komunist dhe fillimin e bllokimit të Berlinit nga ana e Bashkimit Sovjetik, qeveria Attlee i dha dritën jeshile SIS-it për një seri operacionesh sekrete në Europën Lindore. Midis tyre gjejmë edhe Operacionin “Valuable” dhe një mision në Gjermaninë Lindore për të shpifur kundër komunistëve vendas dhe zrtarëve sovjetikë. Megjithatë, Operacioni “Valuable” u kompromentua qysh nga fillimi. Misioni, i organizuar dhe i ekzekutuar në mënyrë jo shumë të saktë – dhe i zbuluar nga Kim Philby, një agjent i dyfishtë i KGB-së që punonte si officer ndërlidhës i SIS-it në Uashington – çoi në rezultate “zhgënjyese”, siç vërejti një funksionar i Foreign Office. Nga 6 skuadrat me shqiptarë antikomunistë të stërvitura nga britanikët që në tetorin e 1949 zbarkuan në Gadishullin e Karaburunit, 3 u strehuan në Greqinë fqinje dhe 1 mbijetoi për disa në muaj Shqipëri. Nga 2 skuadrat e tjera, të asgjësuara ngë forcat e Sigurimit, nuk u mësua më asgjë. Pavarësisht këtij dështimi, në vitin 1950 ministritë kishin autorizuar fushata denigruese për të kompromentuar funksionarë sovjetikë dhe për t’i shtyrë të dezertonin, aksione subversive për të dobësuar raportet midis Moskës e bllokut sovjetik dhe një propagandë për të mbajtur gjallë një “shpirt rezistence” prapa Perdes së Hekurt. Agjentë u hodhën me parashuta në Poloni e në Ukrainë dhe SIS-i fshehu armë e radio në të gjithë Europën Perëndimore për të përgatitur rrjete rezistence në eventualitetin që sovjetikët vendosnin t’i pushtonin, gjithçka me bekimin e Attlee.
Sa më shumë material arkivor bëhet i disponueshëm, aq më shumë rezulton qartë se Clement Attlee ka qenë më shumë se idhtar i “sistemit shëndetësor kombëtar, i ndërtimit të shtëpive të reja dhe i çeqeve familjare” në Britaninë e Madhe, për të përdorur fjalët e Ed Miliband. Në realitet, nuk është aspak e pavend të pohohet se qeveria Atlee ka hedhur bazat e komunitetit të inteligjencës të pasluftës, një trashëgimi e rëndësishme për të kuptuar luftën sekrete midis Perëndimit dhe Bashkimit Sovjetik.
(Dan Lomas, i specializuar në inteligjencën e Luftës së Ftohtë, jep Histori Ndërkombëtare në Salford University)

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Exit mobile version