Clinton frymëzim për vajzat

Humbja e Hillary Clintonit shihet nga disa si goditje ndaj feminizmit. Disa gra amerikane nuk po dinë të gjejnë fjalët për t’ua shpjeguar vajzave të tyre këtë rezultat. Një numër faktorësh nuk lejuan që të shënohet ky moment historik në avancimin e grave në politikë.
Nata e zgjedhjeve ishte e ngarkuar me emocionet në pritje të një momenti historik. Shpresat ishin të mëdha që një grua – Hillary Clinton – të fitonte duke dëshmuar se gratë mund të arrijnë edhe postin më të lartë. Nënat sollën vajzat me vete në qendrat e votimit:
“Është një moment ndryshimi. Vajzat e mia do të mësojnë se është e mundur të bëhen president, pra askush s’mund t’u thotë se disa gjëra i kanë të paarritshme”, thotë një votuese në Nju Jork.
Pikërisht këtyre vajzave iu drejtua Hillary Clinton, pasi rezultati ishte konfirmuar dhe ajo pranoi humbjen:
“Mos e vini kurrë në pikëpyetje vlerën dhe fuqinë tuaj dhe faktin se meritoni çdo shans dhe mundësi në botë për të ndjekur dhe përmbushur ëndrrat tuaja”.
Çfarë e solli këtë rezultat në zgjedhje? Një anketë e organizatës Pew tregon se burrat preferonin Trumpin me një diferencë prej 12%. “CNN” tregon se gratë e bardha preferonin Trumpin me një diferencë prej 10%.
Politologu David Schultz thotë: “Mendoj se ende ka një përqindje të madhe të popullsisë amerikane që nuk është gati të votojë për një grua në zgjedhjet presidenciale”.
Në fillim të shekullit të 20-të, Elizabeth Cady Stanton luftoi për t’u siguruar grave të drejtën e votës.
Disa përkrahës të zotit Trump shprehen se do të kishin votuar për një grua, po të kishte një alternativë tjetër:
“Patjetër dua që një grua të bëhet president, por dua një kandidate me integritet”, thotë një votuese.
Me largimin e zonjës Clinton nga skena, hapet mundësia për gra të tjera të konkurrojnë për presidente.
“Është momenti për t’u mobilizuar dhe aktivizuar përsëri në politikë”, thotë një votuese.
Një shekull më parë gratë fituan të drejtën e votës. Pas këtyre zgjedhjeve ato do të luftojnë edhe më fort për të fituar Shtëpinë e Bardhë.

Exit mobile version