Clinton kërkon unitet, Trump: Më akuzojnë për politikë dhe para

Duke folur përpara mbështetësve në qytetin Seattle, kandidatja demokrate Hillary Clinton bëri thirrje për unitet. Ndërkohë, rivali Donald Trump u shfaq së bashku me anëtaret e lëvizjes “Gratë për Trump-in”, duke shpresuar të bindë votuesit se ka mbështetjen e tyre.
Ndërsa vazhduan akuzat publike ndaj kandidatit Trump për ngacmim seksual të grave, një sondazh i kryer nga Reuters/Ipsos tregon se 44% e votuesve mbështesin Hillary Clinton, ndërsa 37% mbështesin zotin Trump.
Zonja Clinton mori pjesë në një aktivitet për ngritje fondesh në qytetin Seattle, së bashku me këngëtarët e muzikës hip-hop, Macklemore dhe Ryan Lewis.
Kandidatja demokrate tha se është e rëndësishme fitimi i zgjedhjeve për të demonstruar një vizion bashkues dhe pozitiv të Amerikës.
“Duhet të fitojmë që së bashku të tregojmë një vizion bashkues, pozitiv, optimist dhe me vetëbesim për Amerikën në të cilën unë besoj. Mendoj se ditët më të mira të Amerikës gjenden përpara”, tha zonja Clinton.
Zoti Trump synoi të tregojë mbështetjen e grave, pas akuzave të tjera nga gra që thanë se ai i ka prekur në mënyrë të papërshtatshme ose i ka sulmuar seksualisht vite më parë.
Koalicioni “Gratë për Trump-in”, u shfaqën së bashku me të në një manifestim në Karolinën e Veriut.
“Nuk është e vështirë të gjendet një grusht njerëzish që janë të gatshëm të njollosin për arsye financiare apo politike. Ose për arsyen e thjeshtë se duan ta ndalojnë lëvizjen tonë. Është shumë e thjeshtë. Këto pretendime sfidojnë arsyen, të vërtetën dhe logjikën. Akuzat bëhen pa dëshmitarë. Flasin për 28 vite më parë, 10 vite më parë, 14 vite më parë, 12 vite më parë. Nuk kam qenë unë i tillë. Besomëni. Do të impresionoheshit realisht me shumë aspekte të jetës së sime reale”, tha zoti Trump.
Zoti Trump i ka hedhur poshtë akuzat, duke i quajtur gënjeshtra. Zonja Clinton thotë se ajo do të mbrojë çdo person që mund të sulmohet apo degradohet prej zotit Trump.

Exit mobile version