Çmendet Kimi: Testim bërthamor së shpejti

Korea e Veriut është zotuar se do ta përshpejtojë programin e armëve bërthamore në “hapin më të shpejtë të mundshëm” dhe se mund të testojë një pajisje bërthamore në çdo kohë, në kundërpërgjigje të qëndrimit agresiv të Trumpit kundrejt regjimit. Paralajmërimi erdhi pasi zyrtarët amerikanë thanë se sistemi i mbrojtjes raketore ishte tashmë operacional, pasi u instalua në Korenë e Jugut javën e kaluar. Sistemi i mbrojtjes “Terminal High Altitude Area” – i njohur ndryshe si ThAAD – është projektuar për të identifikuar dhe përgjuar çdo raketë të lëshuar nga Korea e Veriut gjatë fluturimit, por vendosja e tij në Korenë e Jugut ka hasur kundërshtim nga Kina, si dhe ngatërresë se kush duhet të marrë përsipër pagesën milarda dollarëshe.
Forcat amerikane në Kore deklaruan se ThAAD-i ishte bërë tashmë operacional dhe ka aftësinë për të interceptuar çdo raketë të Koresë së Veriut dhe të mbrojë Korenë e Jugut. Por një zyrtar i mbrojtjes amerikane ka thënë për “AFP” se, sistemi kishte arritur vetëm në fazën fillestare të kapacitetit interceptues dhe se nevojiten pajisje të tjera shtesë, të cilat do të shtohen gjatë këtij viti, për ta bërë plotësisht operacional.
Korea e Veriut është zotuar të vazhdojë testimet e saj bërthamore, e ndodhur përballë asaj që e quan “agresion dhe histeri” nga ana e Shteteve të Bashkuara – duke iu referuar manovrave të përbashkëta ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut që Veriu pretendon se po e çojnë gadishullin drejt “luftës bërthamore”. Operacioni “Foal Eagle” sapo ka përfunduar, por grupi i këtij operacioni, i cili duhet të largohej nga gadishulli korean, ka vazhduar manovrat me marinën japoneze dhe atë të Koresës së Jugut gjatë ditëve të fundit.
Sipas ligjit të debatuar të sigurisë të miratuar në vitin 2015, Japonia dërgoi të hënën luftanijen e saj më të madhe për të shoqëruar mjetin amerikan që më pas do të bashkohet me grupin operacional. Izumo, luftanija që mund të akomodojë deri në nëntë helikopterë, u largua nga porti Yokosuka afër Tokios ditën e hënë dhe do të shoqërojë anijen furnizuese amerikane për dy ditët në vijim drejt ujërave të ishullit Shikoku në perëndim të Japonisë, sipas agjencisë së lajmeve japoneze, “Kyodo”.
Mjeti amerikan më pas pritet të furnizojë Carl Vinson dhe mjetet e tjera amerikane në rajon. Tensionet në gadishullin korean kanë qenë veçanërisht të nxehta kohët e fundit, me spekulimet e muajit të kaluar se Korea e Veriut do të testojë një armë bërthamore ose një raketë balistike me rreze të gjatë, provokime që presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se do të përballen me kundërpërgjigje ushtarake.
Duke përdorur emrin zyrtar të vendit, Republika Popullore Demokratike e Koresë (RPDK), një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Koresë së Veriut tha gjatë një fjalimi të transmetuar nga agjencia kombëtare e lajmeve “KCNA”, se në rast se Washingtoni nuk i jep fund “politikës armiqësore” kundrejt vendit, “Korea e Veriut do të vazhdojë të zhvillojë kapacitetet ushtarake për vetëmbrojtje dhe sulme bërthamore të mundshme”.
Zëdhënësi shtoi: “Tani që Shtetet e Bashkuara kanë shfaqur gatishmërinë për të vendosur sanksione dhe për t’i bërë presion RPDK-së, në përputhje me politikën e ‘angazhimit dhe presionit maksimal’, RPDK-ja do ta përshpejtojë në maksimum hapin e zhvillimit të programit të zmbrapsjes bërthamore”.
Në fjalim thuhej se masat për të zhvilluar forcën bërthamore në makimum, do të ndërmerren si kundërpërgjigje dhe se testimi bërthamor mund të pritet në çdo moment dhe në çdo vend që gjykon lideri suprem. Në Washington, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer, u përpoq ta ulte entuziazmin e një takimi të mundshëm ndërmjet presidentit Trump dhe liderit Kim Jong Un, pasi presidenti kishte thënë në një intervistë për “Bloomberg” se do të ishte “i nderuar” të bisedonte me liderin e Koresë së Veriut në kushtet dhe rrethanat e duhura.
“Është e qartë se kushtet aktualisht nuk janë të favorshme”, tha Spicer. “Nuk besoj se kjo do të ndodhë së shpejti”. Zyrtarët e lartë amerikanë kanë deklaruar fundin e epokës së “durimit strategjik” me Korenë e Veriut dhe nuk i kanë përjashtuar kundërpërgjigjet ushtarake ndaj Penjanit në rast se vendos të zhvillojë një testim bërthamor apo lëshon një raketë balistike me rreze të gjatë. Gjatë ditëve të fundit, Trump ka thënë në intervista të ndryshme se do të preferonte që situata të zgjidhej në rrugë diplomatike dhe ka bërë thirrje të shumta për Kinën që t’i bëjë presion fqinjit të tij.

Exit mobile version