Çmendet PSG, ofron 193 milionë euro për Neymar

Paris Saint Germain çmendet për Neymar. Presidenti i kampionëve të Francës, Naser Al-Khelaifi ka vënë në qendër të objektivave të tij për sezonin e ardhshëm, sulmuesin e Barcelonës, Neymar. Numri një i klubit parizien duket se për të bërë të mundur transferimin e brazilianit në “Parc Des Prince” është i gatshëm të paguajë dhe klauzolën e lojtarit, e cila kap shumën e 193 milionë eurove. Lajmin e ka konfirmuar dhe agjenti i futbollistit Wagner Ribeiro, i cili ka deklaruar se klienti i tij është zgjedhja e parë e Nasser Al-Khelaifit për sulmin e Paris Saint Germain.
Afrimi i 24-vjeçarit brazilian tek klubi parizien shihet si zgjidhja më e mirë për skuadrën, pasi edhe në rast të një largim të mundshëm të dy sulmuesve Zlatan Ibrahimoviç dhe Edinson Cavani, do të bëjë të mundur që gjetja e golit të mos jetë sërish problem për parizienët. Braziliani ka një kontratë me blaugranat, që skadon në qershor të 2018 dhe çështja e rinovimit të saj për momentin duket se ka mbetur pezull, pasi dhe vetë Neymar ka dyshime mbi të ardhmen e tij tek Barcelona. Në rast se transferimi i 24-vjeçarit nuk realizohet, drejtuesit e klubit francez kanë dhe emra të tjerë në listë për të udhëhequr sulmin për sezonin e ardhshëm dhe ata janë, Eden Hazard, Cristiano Ronaldo dhe Gareth Bale.

Exit mobile version