Mes dy skuadrave që “grindeshin” për të fiton një i tretë, Reali i Madridit. Njerëzit e besuar të presidentit Florentino Perez, me një udhëtim në Brazil, duket se kanë mbyllur tratativën për të sjellë në “Santiago Bernabeu” atë që konsiderohet nga të gjithë si “Nejmari i ri” dhe që po ndiqej nga Barcelona e Mançester Siti.
Po flasim për 17-vjeçarin Vinicius, sulmuesi i datëlindjes 2000 që luan në radhët e Flamengos. Vinicius ra në sy në “Kupën e Amerikës së Jugut U-17”, ku me 7 golat e realizuar prej tij tërhoqi Brazilin te suksesi final.
Dhe ashtu siç konfirmon edhe “Globoesporte”, Reali ka vënë duart mbi talentin brazilian dhe është gati të bëjë një çmenduri prej 61 milionë euro. Dhe në të tilla shifra, Flamengo është gati që t’ia “paketojë” Viniciusin dhe t’ia dërgojë presidentit Perez.
Ndërkohë, mesfushori i Bayern Munich, Renato Sanches është një nga objektivat e Interit për sezonin e ardhshëm. 19-vjeçari me ardhjen e Karlo Ançelotit në krye të bavarezëve nuk është aktivizuar shumë gjatë këtij sezoni dhe kjo është arsyeja që mund ta çojë futbollistin drejt Serisë A gjatë merkatos së verës. Zikaltrit kërkojnë përforcime në repartin e mesfushës dhe portugezi falë karakteristikave që ka është një alternativë e mundshme për italianët.