Çmendinë

Nga Edison Ypi

Frikacakët trimërohen. Trimat përbuzen. Titujt shkencorë i mbajnë injorantët. Me dekoratat mburren kriminelët. Sa më tepër punë tu bësh, aq më pak vota të japin. Portalet, gazetat, televizionet, i ushqen korrupsioni, i mban politika, i paguan mafia. Populli telefonon çdo mëngjez televizionet për kodra pas bregut. Kokëtrashët organizojnë evente artistike, letrare, poetike, duke u vërdallosur si hiena që lëpijnë kërrma, si çakaj që hanë ngordhsina.
Rrëshqanorë gjirizash burokratikë, butakë pa kocka dhe shtyllë kurrizore, gjallesa primitive pa asnjë ndjeshmëri apo dashuri njerëzore, mbijetuesa ordinerë që mbahen për artistë, shkrimtarë, poetë, që zhgarravisin neverira estetike, bëjnë promuovime për të vjellë me fonde të xhvatura.
Për përgjegjësi qytetare, intelektuale, patriotike, nuk bëhet fjalë.
Thonë se duan të hapin dosjet e spiunllëkut. Por këtu spiuni i ndyrë quhet “zotëri i nderuar”, ndërsa të tjerëve që me spiunllëkun janë më të largët se me infinitin, u shpikin ndërlikime inekzistente.
Programet televizive janë pa filtër, pa kod, pa stil, janë thjesht rrëfime lineare të asaj që syri sheh, veshi dëgjon, hunda nuhat.
Filmat e prodhuara në Shqipëri gjatë diktaturës janë këllirat propagandistike më absurde dhe më qesharake që njeh historia, janë pocaqitë estetike me efekte tragjike mbi shëndetin mendor të atyre që i kanë parë dhe i shohin, janë helmet kulturore dhe sociale më të rrezikëshme prej të cilave shqiptarët mezi shpëtuan.
Megjithatë, trutharë të njohur që mbahen, dhe i mbajnë, për eksperta po thonë se ato filma janë bërë nga regjizorë kollosa dhe janë luajtur nga aktorë fenomenalë, dhe jo vetëm nuk duhen ndaluar, por përkundrazi duhen restauruar. Pika që s’u bie.
Konservatorizmi është elitarizëm, seriozitet, elegancë, rafinatecë, stil, vetpërmbajtje. Mirpo teoricienët tanë që hiqen për konservatoristë janë ca halldupë trashanikë, ca hajvanë ngrehalucë, ca derra të panginjur që mezi presin të shtrohet gostia, të kërrcasi tapa, të ngulet piruni, të mbushet luga, të kullufitet pilafi, të ngrihen gotat, të rrëkëllehet rakia, të bëhet selfia.
Liberalizmi është diçka e ndritur, diçka e ndryshme, alternative, që dishepujt e vet i emocion, u ngjall shpresë. Liberalizmi ynë është një errësirë plot me plebej të pështirë ku të nxjerrin sytë hajdutët, një baltovinë ku të helmojnë gjarpërinjtë.
Këtu këndohet kënga e hidhet vallja në një aheng pa fillim e fund.
Pa folur për muzikën për të vjellë, tekstet e këngëve janë aq pa lidhje sa kur i dëgjon bindesh se ai që ka shpikur Alfabetin ka qënë krimineli më i rrezikshëm që duhet nxjerrë nga varri dhe i duhen thyer kockat.
Këtu demokracinë e sollën viktimat që vuajtën në diktaturë tmerre që nuk i ka parë bota. Duhej të ishin të vuajturit pra, ata që Shqipërinë ta qeverisnin për nja 100 vjet.
Asnjë premtim nuk mbahet, asnjë afat nuk respektohet, asnjë parashikim nuk mund të bëhet.
I vetmi ngushëllim është shpresa ngordhalaqe se ndoshta çmendina nuk do bëhet kasaphanë.

Exit mobile version