Klube të ndryshme janë gati të bëjnë çmenduri për të siguruar Lionel Mesin dhe sipas “El Mundo”, një prej tyre ka bërë një ofertë të pabesueshme për yllin argjentinas. Atij i janë ofruar 100 milionë euro, nëse nuk do të rinovojë kontratën e tij me Barcelonën dhe të largohet me parametër zero nga katalanasit në vitin 2018. Sipas gazetës në fjalë, klubi i cili nuk është identifikuar, do të evitojë pagesën e një klauzole largimi të futbollistit, nëse do të arrijë ta bindë që brenda dy viteve të ardhshme të ndërrojë skuadër.
Në fakt, Mesi ka refuzuar rinovimin që i ka propozuar Barcelona dhe mendohet se do të presë fundin e kontratës së tij në vitin 2018, para se të vendosë se ku do të vazhdojë karrierën e tij. Një pagesë bonus prej 100 milionë eurosh, sigurisht që mund ta ndihmojë ta marrë më lehtësisht këtë vendim.
Mesi është duke zvarritur nënshkrimin e kontratës së re dhe kjo ka detyruar presidentin e Barcelonës, Josep Maria Bartomeu të shqetësohet dhe të nisë menjëherë kontaktet me babain e argjentinasit. Sipas burimeve të tabloidit britanik “The Sun” së fundmi Josep Maria Bartomeu ka telefonuar babain e Lionel Mesit për të gjetur një marrëveshje të rinovimit të kontratën me klubin katalanas.
Por sipas informacioneve të fundit, Mesi po zvarrit rinovimin për shkak të pagesës financiare, e cila kërkohet të jetë unike prej 825 mijë stërlinash në javë. Kjo është një shifër e ‘çmendur’ dhe pa përballueshme për Barcelonën, e cila është duke u përpjekur për ta bindur Mesin me mënyra të tjera.
Sipas raportimeve të medieve britanike pritet një takim i fundit mes tyre për të vendosur përfundimisht të ardhmen e argjentinasit, i cili kohët e fundit është përfolur për një largim të mundshëm nga ‘Camp Nou’. Ditë më parë, “Marca” ka publikuar refuzimin të kontratës së Mesit, një lajm i cili çdo ditë bëhet akoma edhe më i besueshëm, pasi krerët e Barcelonës po vijojnë me këmbëngulje bisedimet me argjentinasin.
Së fundmi ishte presidenti i klubit katalanas, Bartomeu, ai i cili qetësoi tifozët e Barcelonës, duke thënë se Mesi do të përfundojë karrierën në ‘Camp Nou’, por pa treguar asnjë veprim konkret.