Ardhja e trajnerit Julen Lopetegui në pankinën e Real Madrid për të zëvendësuar Zinedine Zidane projekton një peisazh tjetër te skuadra kampione në fuqi e Europës. Disa prej futbollistëve që ishin absolutisht especial në skemat e trajnerit francez mbeten nën proxhektorët e merkatos, dhe njëri prej tyre është edhe Marco Asensio që në princip duhet të ketë besimin e plotë të ish-trajnerit të kombëtares së Spanjës, pasi e kishte grumbulluar atë edhe në ekipin që aktualisht po diskuton Kupën e Botës në Rusi.
Referuar asaj që raporton “Mundo Deportivo”, një klub i rëndësishëm britanik ka paraqitur tashmë ofertën në formë zyrtare në selinë e klubit të vendosur në “Santiago Bernabéu”. Bëhet fjalë pikërisht për Liverpool, rivalin e ekipit merengues në finalen e Champions League, që pret me padurim të afrojë Asension në “Anfield Road”. Skuadra e drejtuar nga trajneri Jurgen Klopp vlerëson futbollistin dhe është e gatshme të bëjë një mega ofertë për ta marrë në Angli. Flitet për një ofertë prej 180 milionë euro, një shifër stratosferike. Real Madrid ka tashmë ofertën mbi tavolinë dhe do ta studiojë, ndonëse parimisht nuk do ta marrë në konsideratë.
Marco Asensio ka një kontratë me Real Madrid deri në qershor të vitit 2023 dhe një klauzolë transferimi shumë më të lartë se shifra e ofruar nga klubi i Liverpool. Për të “rrëmbyer futbollistin spanjoll nga Madridi duhen plot 700 milionë euro, të paktën sipas kontratës së fundit të firmosur nga palët në shtatorin e kaluar. Julen Lopetegui e vlerëson shumë Marco Asensio dhe vështirë që të japë bekimin e tij për largimin e yllit spanjoll, por as Liverpool, nuk mendohet të heqë dorë lehtësisht nga ëndrra e tij e merkatos.