Një valë e re gjobash prej 10 mijë lekësh (të reja) për vonesa në deklaratën e regjistrimit të administratorit për bizneset e reja të hapura në 2015-2016, që po u bëhen aktualisht të ditura sipërmarrjeve, ka revoltuar bizneset. Ndonëse tatimet bënë me dije se, bizneset e reja kanë 48 orë afat nga marrja e NIPT-it për të bërë deklarimin online të punonjësve, ekonomistët ankohen se ata po gjobiten edhe përpara se të marrin NIPT-in, ndërsa po ngrenë pikëpyetjen se pse po gjobiten në qershor 2016, edhe një vit pasi janë hapur. Nga ana tjetër, shumë ekonomistë janë të paqartë për procedurat që duhen ndjekur.
Erion Prifti, drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve ndaj Tatimpaguesit, pohoi se teknikisht me marrjen e NIPT-it sistemi online i tatimeve e regjistron automatikisht pa pasur nevojë për dy apo tre ditë. Mirëpo, bizneset që regjistrohen për herë të parë, tha ai, nuk i njohin ligjet dhe rregullat dhe për më tepër regjistrimin online. Mirëpo tatimet edhe në këtë rast e kanë zgjidhur ngërçin tha Prifti. Në faqen zyrtare të tatimeve (www.tatime.gov.al) janë mbi 20 numra kontakti, me të cilat bizneset e reja konsultohen se si të regjistrohen.
Por, bizneset kanë shpërthyer në ankesa, duke i quajtur këto gjoba të padrejta, pasi ka raste kur data që tatimet njohin si fillim pune për administratorin është më e hershme se data e marrjes së NIPT. “Aktualisht mbaj llogaritë e 10 personave fizikë pa TVSH, të cilët janë krijuar në periudhën shtator – dhjetor 2015. Të gjithë këta subjekte janë dënuar me gjobë 10,000 lekë për deklarim me vonesë të formularit ESIG027 (dmth deklarimi i fillimit të punës të vetëpunesuarit, i cili është person fizik i vetem). Kjo gjë është totalisht e papranushme, pasi është e pamundur që një person fizik ta deklarojë datën e fillimit të punes më përpara se të marrë Niptin. Ata duan një periudhë 2-3 ditore që të tërheqin NIPT-in dhe po një periudhë 3-4 ditore të njoftojnë një ekonomist për regjistrimin e biznesit të tyre, thotë Virsoni, ekonomist.
“Kjo s’ka ndodhur vetëm me bizneset e reja, por edhe ato ekzistuese, ti punëson sot një punonjës dhe je i detyruar ta deklarosh në sistem një ditë para, ndryshe nëse e deklaron në ditën që e ke punësuar merr 10,000 lekë gjobë, për vonesë deklarimi”, thotë Alma, ekonomiste.
“Në sistemin tatimor kohët e fundit është aktivizuar sipas specialistëve të shërbimit, formualri E-sig 027, për punësimet dhe largimet rishtaz. Aktivizimi i tij ka bërë që sistemi të vendosë gjoba 10.000 lekë për deklarimet, të cilat nuk kanë respektuar afatin 24 orë para. Po flasim edhe për deklarata të dorëzuara para aktivizimit të këtij formulari. Në periudhën e fushatës kundër informalitetit, vetë inspektorët tatimorë nxisnin biznesin që të bënin punësime brenda ditës edhe pse kjo është shkelje. Gjithashtu bizneset, për të shmangur penalizimet kanë kryer edhe vetë deklarime sot për sot. Nga informacionet e mia janë penalizuar gati 99% e bizneseve në shkallë vendi. Duket sikur kemi rënë në një grackë që s’po e shpjegojmë dot”, thotë Atosi, ekonomist.
Një tjetër ekonomist thotë se, në ligj nuk citohet asnjëherë për të vetëpunësuarin ose administratorin, të cilët quhen të regjistruar që në momentin e aplikimit të tyre në QKB. “Kur aplikon për regjistrim në QKB në datën 31 dhe NIPT-in e merr të nesërmen në datën 1 të muajit pasardhës, në sistemin e tatimeve detyrimisht regjistrimin do e bësh kur ke aplikuar në QKB, dmth dt 31, pra detyrimisht do marrësh gjobë”.
Armandi, kontabilist, shpjegon se deri dje duhej të shkoje të merrje password-in në Tatime në mënyrë që të logoheshe në sistemin IT dhe duheshin disa ditë që biznesi i sapo regjistruar të shfaqej në sistem. Pavarësisht çfarë shkruhej në ligj, sqaron ai, u kthye në një normë që deklarata e parë ESIG27 të dërgohej disa ditë me vonesë dhe subjektet nuk penalizoheshin (kjo konfirmohej edhe nga inspektorët e shërbimit). Ekonomistët shprehin habinë se pse pikërisht tani u vendos që subjektet të gjobiteshin.