“Çmenduria” e Venger

Arsene Venger është gati të boshatisë arkat e Arsenalit për të siguruar shërbimet e talentit francez, Kylian Mbappe. Mediat angleze kanë shkruar këtë të dielë se tekniku i gjithpushtetshëm i “Topçinjve” të Londrës do t’i paraqesë gjatë javës një ofertë të frikshme Monakos, që arrin shifrën 142.5 milionë euro.
Mësohet se Venger gjatë ditëve të fundit ka biseduar disa herë me Wilfried Mbappe, babain e futbollistit, i cilit ua ka bërë të qartë se nëse pranon ofertën e Realit të Madridit, do të ketë shumë pak minuta në dispozicion, pasi nuk mund të zbresë në fushë para emrave të tillë si Cristiano Ronaldo, Gareth Bale apo Karim Benzema.
67-vjeçari i premton talentit të skuadrës nga Principata vendin e titullarit, pra që lojtari nuk do të rrezikojë të qëndrojë në stol. Me këtë argument dhe me 142.5 milionë euro në tavolinë, Venger shpreson ta transferojë Mbappe-në në Londër.
Nëse ky transferim do të përmbyllet me këto shifra, do të shënojë një tjetër rekord përsa i përket merkatos, që aktualisht mbahet nga Paul Pogba, për të cilin Manchester United shpenzoi 105 milionë euro.
Drejtuesit e skuadrës së Real Madridit nuk janë të interesuar që të transferojnë vetëm Kylian Mbappe-në nga Monaco. Los Blancos nga kjo skuadër po synon të marrë edhe mesfushorin e talentuar, Thomas Lemar, shkruan “Don Balon”. Por, kampioni i Spanjës dhe Evropës nuk do ta ketë të lehtë që ta transferojë 21-vjeçarin, pasi për të interesim të fortë kanë shfaqur edhe Arsenal e Barcelona.
Nga oferta e çmendur për Kylian Mbappe, që gjithsesi mbetet në kuadrin e zërave të merkatos tek interesimi konkret për një tjetër francez, Alexandre Lacazzette. Arsenali është gati të paguajë 48 milionë stërlina për sulmuesin e Lionit, pak a shumë të njëjtën shifër të kërkuar nga klubi francez. Sipas mediave franceze 26-vjeçari e ka prerë biletën për në Londër për t’iu nënshtuar vizitave mjekësore, pasi palët tashmë e kanë arritur marrëveshjen. Lacazzette do të nënshkruajë kontratë 5-vjeçare me “Topçinjtë”, ndërsa paga që do të përfitojë futbollisti mbetet enigmë.
Mbyllet ndryshe nga sa pritej telenovela “Lacazzette”. Sulmuesi francez e kishte bërë të qartë se do të largohej nga Lioni me destinacion të mundshëm Atleticon e Madridit, por pezullimi i merkatos së Los Colchoneros nga FIFA, e bëri të pamundur vënien e tij nën urdhrat e Simeones. Lacazzette do të jetë goditja e dytë e Arsenalit pas zyrtarizimit të Sead Kolasinaç, që mbërriti nga Schalke 04 me parametër zero.
Por meraktoja e Arsenalit nuk do të mbyllet me këtë goditje. Ëndrra e tifozëve mbetet Mbappe, por që talenti i Monacos të lëvizë për në Londër, Venger duhet të bëjë të paimagjinueshmen, të thyejë rekordin e transferimit më të shtrenjtë në historinë e futbollit.

Artikulli paraprakBonuçi, goditja e madhe e Barçës?
Artikulli tjetërGjermania fiton trofeun e parë