Ndërtimi i rrugës Thumanë-Kashar me koncesion nga një kompani private pritet t’u kushtojë qytetarëve shqiptarë 337.7 milionë euro ose sa i gjithë buxheti vjetor që qeveria jep për sektorin e shëndetësisë. Fatura marramendëse e Thumanë-Kashar përbën një rekord të papreçedentë në historinë e financave publike të shtetit shqiptar, ku një kas vetëm 20 kilometër do të hajë 3 për qind të Prodhimit Kombëtar.
Tenderi i koncesionit për ndërtimin e rrugës Thumanë-Kashar u fitua nga kompania Gener 2, që ishte dhe propozuesja e pakërkuar e këtij konçesioni. Ndonëse në dokumentat e tenderit, vlera fituese ishte 225.8 milionë euro, në fakt fatura totale e rrugës bashkë me mirëmbajtjen dhe interesat që qeveria do i paguajë kompanisë private për 13 vjet arrin në 337 milionë euro ose 43 miliardë lekë. Kjo shifër është e barabartë me buxhetin që qeveria dha për gjithë sistemin shëndetësor gjatë vitit të kaluar.
Kosto u dyfishua brenda pak ditësh
Në 10 qershor të këtij viti Ministria e Infrastrukturës publikoi monitorimin e Strategjisë Sektoriale të Transportit për periudhën 2016-2020. Në këtë dokument Ministra ka listuar të gjitha akset kombëtare në ndërtim, apo që do të ndërtohen për katër vjeçarin 2016-2020.
Pjesë e listës është edhe rruga Thumanë -Kashar kostoja totale, e të cilës është vlerësuar nga vetë qeveria, në bazë të manualit të preventivave, 169.3 milionë euro.
Por vetëm pak ditë më vonë, Ministria e Infrastrukturës zhvilloi tenderin për dhënien e ndërtimit të kësaj rruge më koncesion dhe mirëmbajtjen e saj nga privati për 13 vjet. Në tenderin që u zhvillua në datën 18 qershor fatura e rrugës fluturoi nga 169.3 milionë euro që e vlerëson zyrtarisht qeveria në plot 337.7 milionë euro.
Kostoja shtesë 170 milionë euro është fatura që qytetarët shqiptarë do i paguajnë privatit në formën e interesave dhe mirëmbajtjes së rrugës për 13 vjet.
Rritja prej 170 milionë euro e kostos së rrugës në vetëm një javë është e barabartë me fondin e ndihmës ekonomike që qeveria jep për të gjitha familjet e varfra të Shqipërisë në një vit. Pra, nëse qeveria do të kishte vendosur ta ndërtonte rrugën nga buxheti i shtetit dhe jo me konçesion ajo do të kishte kursyer 170 milionë euro, të cilat do të mjaftonin për të dyfishuar ndihmën ekonomike për të varfrit.
Thumanë-Kashar është një rekord absolut. Ajo nuk është vetëm rruga më e shtrenjtë në Shqipëri, por paralelisht renditet edhe si një nga rrugët më të shtrenjta në Europë, ku një kilometër i vetëm do t’ju kushtojë qytetarëve shifrën marramendëse 16.8 milionë euro.
“Syri.net”