Rritja e çmimit të naftës ka qenë tema e diskutimit në studion e lajmeve në Fax Neës, ku ka qenë i ftuar eksperti i ekonomisë Pano Soko. Mësohet se një litër naftë tregtohet tashmë me 182 lekë dhe një litër benzinë me 183 lekë, nga 177 dhe 178 lekë që shiteshin vetëm disa ditë më parë.
Ky është shtrenjtimi i dytë që pëson çmimi i naftës bëhet brenda muajit, ndërsa sipas Sokos ajo që është edhe më shqetësuese është cilësia e hidrokarbureve që hidhen në treg.
Po ashtu eksperti është shprehur se deri në muajin Janar çmimi për litër i naftës mund të shkojë deri në 210 lekë, për shkak të rritjes së çmimit të saj në tregjet globale+taksat që detyrohen të paguajnë qytetarët shqiptarë.
‘’Kjo është një ngjarje e paralajmëruar, kemi ruajtur këto nivele të çmimit të naftës për shkak të asaj që ndodh në tregjet globale. Prej tani do të kemi një kapërcim të çmimit të naftës, në vlerat që ka pasur para krizës së vitit 2014-të.
Që nga viti 2014 ne kemi pasur një rritje të vazdhueshme të taksave që paguajmë bashkë me çmimin e naftës për qytetarët shqiptarë. Pra do të thotë që tashmë ne e ndiejmë edhe më shumë rritjen e çmimit, për shkak të taksimit të lartë.
Deri dje nuk ndihej për shkak se çmimi i naftës në tregjet e huaja ka qenë e ulët. Në Shqipëri nga Janari mund të shkojë deri në 210 lekë për litër. Shqiptarët konsumojnë një naftë që nuk dihet se çfarë është.
Paradoksi qëndron te fakti se ne kemi përmendur gjithmonë që një taksim i lartë i naftës do të shoqërohej me politikë lehtësuese për transportin, pasi nafta është pjesa më e rëndësishme për ekonominë e një vendi.
Ajo që duhej të ndodhte ishte se rritja e çmimit të karburanteve të shoqërohej me rrugë të reja, dhe lehtësira në transport, duke shkaktuar ulje në distanca do të kishim një kompesim për qytetarët.
Paradoksi është se paratë e naftës po shkojnë te koncensionet dhe te aferat e qeverisë.
Po krijohen premisat për dhënien e një koncensioni të ri, që është ai për pompat e naftës. Është një koncension abuziv. Sa herë që rritet barra fiskale rritet dhe niveli i korrupsionit. Familja dhe konsumatorët janë ata që do të goditen të parët”, u shpreh Soko.