Çmenduria Veliaj, taksë farmacive për mbetjet spitalore

Bashkia e Tiranës ka shpikur një taksë të re për bizneset mjekësore që nuk kanë asnjë lidhje me procedurat e spitalimit. Administrata e Bashkisë ka shpërndarë një letër ku i kërkohet farmacive të paguajnë taksën për mbetjet spitalore. Në një postim tek “Thurje”, një farmacist ankohet për këtë taksë. “Përshëndetje, një fushatë e Bashkisë sot duke ngarkuar dhe penalizuar biznesin e farmacisë për të paguar një licencë pa lidhje për këtë biznes (administrim i mbetjeve spitalore), ndërkohë që farmacia shet vetëm medikamente dhe nuk bën as operacione dhe as injeksion, pra nuk ka mbetje spitalore!!! Kjo është thjesht gjobë për të na detyruar t’i japim para një kompanie, e cila me siguri është paracaktuar nga Bashkia. Për më tepër nuk ka asnjë legjislacion se ku mbështetet”, alarmon qytetari. Por kjo nuk është e vetmja taksë e çuditshme që qytetarët e Tiranës janë të detyruar të paguajnë për shkak të urdhëresave të Veliajt.

Në Tiranë, fatura e ujit e njëjtë me atë të energjisë

Prej disa muajsh në faturën e ujit për familjet në Tiranë përfshihen edhe taksat e Bashkisë. Tarifa e pastrimit, taksa mbi ndërtesën dhe taksa e përkohshme për infrastrukturën arsimore do të paguhen tashmë çdo muaj së bashku me faturat e ujit, çka shton mesatarisht faturat mujore të ujit me të paktën 600 lekë në muaj. Taksa e pastrimit për familjet në Tiranë është 420 lekë në muaj dhe ajo e përkohshme e infrastrukturës arsimore është 150 lekë në muaj. Vetëm nga këto dy taksa, në vit, familjet do të paguajnë 6800 lekë në vit (tarifa e pastrimit është 5000 lekë në vit dhe ajo e arsimit 1800 lekë). Këto dy tarifa janë fikse, ndërsa ajo e ndërtesës është në varësi të zonës, sipërfaqes dhe llojit të ndërtesës, para vitit ‘93 dhe pas vitit ‘93. Për ndërtesat para ’93 në Tiranë, taksa është 15 lekë për metër katrorë dhe ato pas ’93 është 30 lekë për metër katrorë. Për banesat jashtë zonës së Tiranës është 7.5 lekë për metër katrorë para ‘93 dhe 15 lekë pas ‘93. Një familje, që banon në një sipërfaqe 80 metra katrorë në Tiranë, të ndërtuar pas ‘93 do të paguajë 2400 lekë në vit apo rreth 200 lekë në muaj, ndërsa për të njëjtën sipërfaqe para ‘93 do të paguajë 1200 lekë në vit. Në total, taksat e Bashkisë për një familje do të jenë minimumi 8,000 lekë në vit (6800 fikse nga tarifa e pastrimit dhe ajo e arsimit, që u shtohet dhe taksa e ndërtesës në varësi të sipërfaqes dhe llojit të banesës).
Në krahasim me vitin e mëparshëm është shtuar taksa e përkohshme për infrastrukturën arsimore prej 1800 lekë në vit, ndërsa taksa e pastrimit dhe ajo e ndërtesës nuk kanë ndryshuar. Me kalimin e ujësjellësit nën administrimin e Bashkisë gati një vit më parë, taksat e Bashkisë kanë filluar të vilen te fatura e ujit.

Marrëzia e taksës së arsimit, bizneset e paguajnë këtë taksë disa herë

Një tjetër taksë absurde është ajo e arsimit. Faturat e taksave të Bashkisë për biznesin e mesëm e të madh, po nxjerrin në pah absurditetet e tjera të taksimit të bizneseve nga Bashkia e Tiranës. Këtë herë bëhet fjalë për taksën e përkohshme të arsimit, që përveçse është antikushtetuese, (pasi me Kushtetutë arsimi është falas), bizneset që punojnë me NIPT-e sekondare do të duhet ta paguajnë disa herë atë. Për shembull, një faturë që i përket një biznesi të madh që ka tri NIPT-e sekondare, por vepron si një subjekt i vetëm. Ky subjekt duhet të paguajë tre herë taksën e përkohshme për infrastrukturën arsimore, në total 81 mijë lekë në vit (për biznesin e mesëm njësi më shumë e prodhimi, taksa e arsimit është  27 mijë lekë në vit). Ky është një taksim krejtësisht absurd dhe në shkelje të vetë vendimit të Bashkisë, që përcakton se, “Taksës së përkohshme për infrastrukturën arsimore i nënshtrohen të gjitha familjet, personat fizikë ose juridikë, vendas ose të huaj, që banojnë dhe ushtrojnë veprimtari ekonomike brenda territorit të Bashkisë së Tiranës”. Pra, pavarësisht se biznesi nga tatimet konsiderohet si një subjekt i vetëm juridik apo fizik, ai po detyrohet të paguajë disa herë taksën e përkohshme për infrastrukturën arsimore. (Të ashtuquajturat NIPT-et sekondare sipas ligjit të TVSH-së duhen “Për ata persona të tatueshëm që si pjesë të veprimtarisë së vet ekonomike, kryejnë shitje me shumicë dhe shitje me pakicë, vendi i veprimtarisë të secilës shitje duhet të jetë i ndarë dhe çdo vend veprimtarie duhet të pajiset me çertifikatë NIPT-i me numra të ndryshëm serialë”). Të gjitha bizneseve, që veprojnë me NIPT-e sekondare po u vijnë faturat, ku specifikohet se duhet të paguajnë taksën e arsimit për çdo NIPT.

Bashkia me fitim nga rrumbullakosja

Bashkia e ka rrumbullakosur këstin mujor të tarifës së pastrimit në 420 lekë nga 417.7 lekë që duhet të ishte, çka bën që një familje të paguajë në vit 40 lekë më shumë (5040 lekë nga 5000 që është taksa). Ndonëse kjo shumë është e papërfillshme për një familje, në total nga rreth 220 mijë familje që janë në Tiranë, sipas INSTAT, Bashkia do të marrë nga kjo rrumbullakosje (nëse shuma nuk korrektohet në muajt në vijim) gati 9 milionë lekë (64 mijë euro) më shumë. Dyfishim i tarifës së pastrimit, 10-fishim i taksës së zënies së hapësirës, taksë e re 2500 lekë për tavolinat, rritje rreth 50% e taksës mbi ndërtesën, taksë e re për truallin prej 20 lekë për metër katrorë janë disa nga ndryshimet kryesore të taksave dhe tarifave të Bashkisë Tiranë nga 1 janari 2016. Duke qenë se në bazë të ligjit për taksat vendore, Bashkia nuk ka të drejtë të ulë taksat me më shumë se 30% dhe t’i rrisë me më shumë se 10%, ato që kanë ndryshuar ndjeshëm janë tarifat me dyfishim deri në 10-fishim. Zef Preçi, ekspert i ekonomisë thotë se, ndërsa taksat janë për qëllime rishpërndarje, tarifat janë për mbulim kostosh të shërbimeve dhe jo për të siguruar të ardhura shtesë. Bizneset e mesme dhe të mëdha do të përballen me fatura të dyfishuara për tarifat e pastrimit. Deri tani, sipas kategorive, bizneset e mesme paguanin nga 15 mijë-150 mijë lekë në vit, në varësi të llojit të biznesit, ndërsa nga 1 janari do të paguajnë nga 30 mijë-300 mijë lekë në vit, sërish në varësi të kategorisë. Për bizneset e mëdha tarifat janë rritur nga 25 mijë-225 mijë në vit më 2015-ën në 50 mijë-450 mijë lekë në vit më 2016-ën. Nuk ndryshon panorama as për bizneset e fushës së shërbimit. Sallonet e bukurisë, hotelet, shtëpitë botuese, komplekset sportive, institucionet jo publike të edukimit do t’u dyfishohet kjo tarifë. Edhe profesionet e lira do të kenë të njëjtin fat për këtë tarifë, pagesa e të cilës ka pësuar dyfishim.

Exit mobile version