Çmimet e larta nxisin thirrjet për bojkot të supermarketeve edhe në Shqipëri

Prej ditësh, rrjetet sociale në Shqipëri janë përfshirë nga thirrje për të bojkotuar supermarketet në shenjë proteste ndaj çmimeve të larta të produkteve ushqimore. Thirrjet e para ishin përqendruar për datat 5-10 shkurt ndërsa një thirrje e dytë, e nisur nga qendra “Alert,” ka njoftuar datën 16 shkurt.

“Kjo është një revoltë simbolike që synon të nxisë pronarët e supermarketeve të reflektojnë dhe të tregojnë kujdes në marzhin e fitimit,” tha për Citizens Granit Sokolaj, Drejtor Ekzekutiv i qendrës “Alert,” e cila fokusohet në mbrojtjen e konsumatorit.

Fushata nisi fillimisht në Kroaci, nga Qendra Evropiane e Ekselencës së Konsumatorit (ECIP) nën emrin “Ç’kemi inspektor!” ku brenda dy javëve ajo pretendon se nxiti autoritetet të vendosnin qindra gjoba për abuzime në çmime dhe solli një tkurrje prej 80 milionë eurosh nga xhiroja e supermarketeve.

Kjo nismë u përhap më tej në Bosnjë e Hercegovinë, Serbi, Maqedoni të Veriut e më tej duket se po shtrihet edhe në Shqipëri dhe Kosovë.

Arsyet kryesore të këtij bojkoti përfshijnë kundërshtimin ndaj diferencave të çmimeve të produkteve mes shteteve, shkundjen e autoriteteve për të ulur taksat e fshehta dhe kontrolluar tregjet, por dhe një lloj “shuplake ditore” ndaj kompanive që nuk reagojnë, por përfitojnë nga abuzimi me çmimet.

“Supermarketet kanë një normë fitimi jashtë kontrollit, nuk i monitoron askush! Tatimi mbi vlerën e shtuar në Shqipëri për produktet ushqimore është mjaft i lartë, 20%, ndërsa në Kosovë është 8%, dhe në Gjermani 7%,” analizon më tej Sokolaj.

Ai shpjegon se rritja e çmimeve të produkteve ushqimore në Shqipëri ka nisur pas pandemisë, ku fillimisht ndikoi edhe konflikti në Ukrainë. Sipas Sokolajt, do të ishte efektive nëse bordet për kontrollin e çmimeve, siç u aplikuan gjatë pandemisë, të ishin të përhershme për mbajtjen nën kontroll të paktën të çmimeve për produktet bazë të shportës.

Një studim i ekonomistit Ilir Ciko, përpiluar në korrik 2024, tregoi se çmimet në Shqipëri u rritën ndjeshëm krahasuar me vendet e tjera. Kështu, çmimi mesatar i produkteve të shitura në tregun shqiptar rezultoi 79.7% më i lartë se çmimi mesatar i të njëjtave produkte të shitura në të njëjtën kohë dhe nga të njëjtat kompani në tregjet e BE-së.

“Diskriminimi më i lartë i çmimeve rezulton në kategoritë e produkteve të ushqimit për fëmijë dhe produkteve ushqimore (përkatësisht 147% dhe 107%, ose më shumë se dyfishi i çmimit të BE-së),” citohet në studim.

Sipas autorit, studimi është një thirrje e drejtpërdrejtë për autoritetet shqiptare ndaj kompanive që abuzojnë me çmimet.

“Kompanitë kanë krijuar monopolizim të tregut dhe diktojnë çmimet, duke i vendosur ato në koordinim me njëra-tjetrën,” theksoi Ciko për Citizens.

Sipas tij, bojkoti është një alternativë, por nuk është zgjidhja përfundimtare.

“Thelbësor është roli i shtetit, i cili duhet të promovojë konkurrencën në treg dhe të ndëshkojë kompanitë që nuk janë në përputhje me ligjin e konkurrencës,” theksoi ai.

Ciko shton se zëvendësimi i blerjeve në supermarkete me blerjet në dyqane të vogla nuk është sugjerim i mirë, pasi edhe ato furnizohen nga pikat e mëdha. Ndërsa Granit Sokolaj shpjegon se për datën 16 shkurt mund të përdoren rezervat ushqimore të shtëpisë duke u kufizuar për të mos bërë blerje.

“Do të shohim si do të vijojë bojkoti dhe më pas mund të përcaktojmë data të reja. Për shembull, në Kosovë ka shumë reagim dhe ndërveprim online mbi këtë kauzë. Shpresoj që të vijojë njëjtë dhe këtu,” u shpreh Sokolaj.

Zyrtarisht në Shqipëri autoriteti i ngarkuar për t’u përgjigjur ndaj kësaj problematike është Autoriteti i Konkurrencës. Ky institucion i pavarur ka për detyrë të kontrollojë, ndëshkojë dhe parandalojë abuzimet në tregje.

Citizens iu drejtua Autoritetit të Konkurrencës për të marrë një deklaratë në lidhje me bojkotin, por ata u shprehen se nuk kanë koment në lidhje me këtë çështje.

Kush janë supermarketet kryesore shqiptare dhe kush qëndron pas tyre?

Tregu shqiptar i supermarketeve dominohet nga rreth dhjetë kompani, ku të paktën katër prej tyre kanë konsoliduar pozitat përmes zgjerimit dhe lidhjeve me kompani e marka ndërkombëtare.

Pas këtyre rrjeteve qëndrojnë sipërmarrës të njohur për investime në sektorë të ndryshëm, por dhe politikanë.

  1. Big Market

Big Market, numëron mbi 100 pika në të gjithë vendin. Sipas një raportimi të Monitor, në vitin 2017, qarkullimi vjetor i Big Market arriti në 12.7 miliardë lekë (rreth 95 milionë euro).

Rrjeti është në pronësi të sipërmarrësit Vullnet Sinaj, në ortakëri me Ilir Saliajn. Që nga viti 2017, Sinaj ka mbajtur një rol pasiv për shkak të angazhimit të tij si deputet i Partisë Socialiste.

  1. SPAR Albania

SPAR hyri në tregun shqiptar në tetor 2016 pas tërheqjes së Carrefour dhe ka njohur zgjerim të shpejtë. Në vitin 2017, rrjeti arriti një qarkullim prej 5.4 miliardë lekësh (rreth 40 milionë euro) dhe aktualisht numëron rreth 90 supermarkete.

Në Shqipëri SPAR zotërohet 100% nga Balfin Group, në pronësi të sipërmarrësit Samir Mane, i njohur për investime në sektorin e turizmit dhe pronësinë e disa qendrave tregtare. Ai përflitet shpesh për lidhje të forta politike me qeverinë.

  1. Conad Albania

Conad operon në Shqipëri përmes ortakërisë së sipërmarrësit Luan Leka dhe Conad Adriatico, një prej pesë kooperativave të markës italiane Conad.

Leka zotëron kompaninë E.H.W, e cila që nga viti 1992 është zgjeruar në sektorë të ndryshëm të industrisë ushqimore, përfshirë përpunimin e mishit dhe prodhimin e ujit të ambalazhuar.

Për një periudhë të shkurtër, ortak ka qenë dhe Artan Dulaku, sipërmarrës i njohur në fushën e ndërtimit dhe medias në Shqipëri përmes Concord Investment.

  1. Eco Market

Eco Market është një tjetër rrjet në rritje në tregun shqiptar të supermarketeve. Ky rrjet zotërohet nga vëllezërit Armand dhe Agron Duka (zotërues pasiv), i pari njihet si drejtues i Federatës Shqiptare të Futbollit, ndërsa i dyti si kryetar i Partisë Agrare Ambientaliste, aktualisht deputet.

Vëllezërit njihen si sipërmarrës në industrinë ushqimore në kompani prodhimi vezësh, vere, apo dhe uji të ambalazhuar, ndërsa paralelisht zotërojnë dhe një rrjet dyqanesh elektroshtëpiake.

Këto rrjete kryesore kanë ndikuar ndjeshëm në riformatimin e tregtisë me pakicë në Shqipëri, duke ofruar një gamë të gjerë produktesh dhe shërbimesh për konsumatorët shqiptarë ndërsa në treg ka dhe rrjete të tjera si Xhangolli, Anna Market, Albmarket apo Joena./citizens.al

Exit mobile version