Çmimet e ushqimeve të importuara u ulen me 7%, por nuk u reflektuan! Nga kursi i këmbimit, tek… Dy faktorët që ndikuan

Një kilogram ushqim i importuar vitin e kaluar ka kushtuar 7% më lirë se në vitin 2023 sipas të dhënave zyrtare nga tregtia e jashtme (INSTAT).

Në vitin 2024 janë importuar nga jashtë rreth 1,3 milionë kilogram ushqim me një vlerë 156 miliardë lekë. Një kilogram nga grupi “ ushqim, pije duhan” kushtoi 120.8 lekë në vitin 2024 nga 129.8 lekë në vitin 2023 me një rënie rreth 7 për qind. Në raport me vitin 2022 çmimi i një kilogrami ushqim dhe pije ka rënë mesatarisht me 17%.

Në anën tjetër në vitin 2024 inflacioni i grupit ushqim, pije duhan shënoi rritje me 2.7 %. Importet janë përbërësi kryesor i inflacionit, pasi Shqipëria e ka të bazuar konsumin në import. Ushqimet e importuara ishte 2.7 herë më të larta se eksportet në vitin 2024.

Rënia e çmimeve të importit në grupet ushqimore vitin e kaluar është favorizuar nga dy faktorë themelorë. I pari është kurs i këmbimit. Forcimi i lekut ndaj euros i ka bërë importet më të lira, duke rritur në këtë mënyrë fitimet e importuesve.

Së dyti çmimet e ushqimeve në tregjet ndërkombëtare kanë vijuar uljen e edhe vitin e kaluar pas krizës që pësuan me nisjen e luftës në Ukraine.

Mirëpo tregu vendas me pakicë nuk po tregohet elastik ndaj ndryshimeve të çmimeve në tregjet ndërkombëtar, duke mos-përcjellë uljen e çmimeve dhe fitimet nga kursi i këmbimit. Importuesit dhe distributorët e ushqimeve kanë pohuar, se po përballen me rritjen e kostove të brendshme për shkak të mungesës së fuqisë punëtore që i ka detyruar të rrisin pagat.

Një importues në kushtet e konfidencialitetit tha se nga momenti i porosive deri të pagesat e mallrave ka pasur rritje të të ardhurave me më shumë se 5-6 për qind nga nënçmimi i euros. Por ndërkohë Shqipëria përballet me çmime të larta sidomos në produktet ushqimore, pavarësisht se ndryshe nga Rajoni është favorizua në zhvillimet e kursit të këmbimit.

Nga 141 qytete europiane, Tirana u rendit në vendin e 92 për kostot e larta të jetesës sipas indeksit të publikuar në këtë fillimvit nga “Numbeo”, një databazë globale që mat kostot së jetesës kudo në botë. Indeksi i kostove të jetesës llogaritet si përqindje e kostos së Nju Jorkut.

Kostoja e lartë e jetesës në Tiranë ndikohet më së shumti nga çmimet e produkteve ushqimore. Sipas “Numbeo”, më 2025 indeksi i çmimeve të produkteve ushqimore shënoi 42.5%, çka do të thotë se një banor i Tiranës shpenzon në muaj sa 42.5% e një banori në Nju Jork.

Kosto e ushqimeve ka një peshë të lartë në koston e jetesës në Tiranë, pasi ndryshe nga vendet e e tjera të Europës, shqiptarët çojnë më shumë se 43% të të ardhurave mujore për blerjen e ushqimeve.

Teksa Shqipëria ka rrogat më të ulëta në Rajon mesatarisht (30% më të ulëta) me të dhëna zyrtare, nga ana tjetër ka çmime më të larta të produkteve ushqimore.

Në anën tjetër, Shqipëria ka më të lirë indeksin e qirasë. Shpenzimet e një banori në Tiranë janë sa 13.6% e një qytetari në Nju Jork./Monitor

Artikulli paraprak226 zona arkeologjike janë dëmtuar në Gaza për shkak të sulmeve izraelite
Artikulli tjetërErvis Iljazaj: Në vend të betejës kundër sistemit, partitë e reja janë në betejë midis tyre