Çmimet e ushqimeve u rritën me 67% në një dekadë

Qëndresa Qytetare shpreh shqetësimin serioz për përkeqësimin e vazhdueshëm të kostos së jetesës në Shqipëri, në një kohë kur rritja e çmimeve po shoqërohet me mungesë të theksuar të mbështetjes financiare nga shteti për qytetarët.

TVSH për ushqimet është ndër më të lartat në Evropë, ndërsa nafta që është edhe gjaku i ekonomisë është me çmimin më të lartë në Ballkan.
Të dhënat më të fundit nga Eurostat tregojnë se Shqipëria renditet në vendin e 10 nga 40 vende europiane për rritjen më të lartë të çmimeve të ushqimeve dhe pijeve joalkoolike gjatë periudhës 2015–2025.

Sipas indeksit të harmonizuar të çmimeve, çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë rritur me 67% në një dekadë, një shifër alarmante që e vendos vendin tonë përpara shumë shteteve të zhvilluara të BE-së si Franca, Italia, Spanja apo Holanda.

Kjo rritje është 14% më e lartë se mesatarja e Bashkimit Europian, çka tregon se jetesa në Shqipëri po bëhet gjithnjë e më e papërballueshme për shtresat e zakonshme të popullsisë.
Në këtë realitet të rëndë ekonomik, shqetësuese mbetet fakti se paga mesatare mujore bruto në Shqipëri për vitin 2024 është vetëm 83,401 lekë, ose rreth 834 euro.

Kjo pagë e rendit Shqipërinë ndër vendet me pagat më të ulëta në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke thelluar hendekun midis rritjes së çmimeve dhe fuqisë reale blerëse të qytetarëve.

Ndërkohë që vendet e tjera të rajonit kanë ndërmarrë masa për të kompensuar inflacionin përmes rritjes së pagave dhe mbështetjes sociale, Shqipëria ka reaguar pjesërisht dhe në mënyrë të fragmentuar, kryesisht vetëm për sektorin publik.

Rritja e turizmit ka rritur konsumin dhe presionin mbi çmimet, por nuk është shoqëruar me rritje të prodhimit bujqësor apo me politika për të mbrojtur prodhimin vendas.

Si pasojë, varësia nga importet po rritet dhe me të edhe pasiguria për furnizimin me ushqime.
Janë produket bujqësore serbe dhe nga Maqedonia e Veriut që kanë pushtuar tregun teksa siguria ushqimore është në mëshirë të Manualit Salmonelës.

Në këtë kontekst, inflacioni nuk është më një sfidë e përkohshme, por një kërcënim afatgjatë për stabilitetin ekonomik dhe social.

Jetesa në Shqipëri po shndërrohet në luks për shumicën e familjeve, të cilat përballen çdo ditë me rritje çmimesh dhe të ardhura që nuk i ndihmojnë të përballojnë as nevojat bazë.

Artikulli paraprakNaim Meta: Një fitore e turpshme, një humbje e thellë për vendin
Artikulli tjetërSi u helmuan fëmijët në Gramsh? Ekspertja: Ka shumë pikëpyetje