Bananet do të jenë më të shtrenjta për shkak të ndryshimeve klimatike, sipas një eksperti.
Pascal Liu, ekonomist i lartë në Forumin Botëror të Bananës, tha për BBC se ndikimet klimatike përbëjnë një kërcënim të madh për furnizimin me banane, duke komplikuar ndikimet e sëmundjeve që përhapen me shpejtësi.
Forumi mblidhet në Romë të martën për të trajtuar sfidat me të cilat përballet fruti.
Banania, e cila ka veti ushqyese, është fruti më i eksportuar në botë. Por ekspertët janë të shqetësuar për kërcënimet në rritje nga një botë që po ngrohet dhe nga sëmundjet që po përhapen.
“Unë mendoj se ndryshimi i klimës është me të vërtetë një kërcënim i madh për sektorin e bananeve”, tha Pascal Liu.
Si dhe moti i ashpër që ndikon në prodhimin, bananet janë të ndjeshme ndaj rritjes së temperaturës që mund të zhdukë të korrat në disa vende.
Ndoshta kërcënimi më i madh i menjëhershëm është fakti se temperaturat në rritje po ndihmojnë në përhapjen e sëmundjeve.
Ai që shkakton më shumë shqetësim është Fusarium Wilt TR4, një infeksion mykotik, i cili është zhvendosur nga Australia dhe Azia në Afrikë dhe tani në Amerikën e Jugut.
Kur një plantacion infektohet, ajo “vret” të gjitha pemët e bananeve dhe ekspertët thonë se është jashtëzakonisht e vështirë për t’u hequr “qafe”.
“Ne e dimë se sporet e Fusarium Wilt janë jashtëzakonisht rezistente dhe ato mund të përhapen nga përmbytjet, nga erërat e forta. Ky lloj fenomeni do ta përhapë sëmundjen shumë më shpejt sesa nëse do të kishit modele më normale të motit”, tha Liu.
Prodhuesit po përballen gjithashtu me presione nga rritja e kostove të plehrave, energjisë dhe transportit, si dhe probleme në gjetjen e punëtorëve të mjaftueshëm.