Ligji i ri për Energjinë e Rinovueshme pritet t’i vërë investitorët shqiptarë e të huaj përballë pasigurish të mëdha për të ardhmen. Drafti i këtij ligji ka mbërritur tashmë në Këshillin e Ministrave për shqyrtim e miratim, për të kaluar më pas në Parlament.
Ligji ekzistues nr. 138 u dërgua nga qeveria Berisha vetëm në fund të mandatit të saj dhe u aprovua në Parlament në maj 2013. Edhe pse u hartua me asistencën e BERZH dhe institucioneve ndërkombëtare, ai nuk u zbatua asnjëherë as pas ardhjes në pushtet të qeverisë së majtë, duke i vendosur investimet e bëra në kushte të një paqartësie të thellë e pasigurie të madhe.
Tre vjet më pas kjo pasiguri shtohet me draftin e qeverisë Rama. Drafti i ri sjell ndryshime thelbësore në trajtimin e investimeve të ardhshme në këtë sektor, por njëkohësisht prek edhe investimet ekzistuese, vlera e të cilave arrin në 400 milionë euro.
Një ndër elementët kryesorë që shqetëson investorët në draftin e ligjit është fakti se çmimi i blerjes që shteti u garanton prodhuesve të energjisë do të përcaktohet çdo vit nga Këshilli i Ministrave me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë.
Ç’do të thotë kjo?
Rishikimi i çmimit çdo vit ngre pikëpyetje të mëdha. Kjo mënyrë nuk jep asnjë siguri nëse sipërmarrësve do t’u kthehen paratë e investuara. Gjithashtu ajo lë vend për abuzime, duke u hapur rrugë praktikave korruptive, për shkak se presioni i qeverisë mbi investitorët do të rritej, sepse ekzekutivi do të kishte nën kontroll të plotë financat dhe fatin e tyre.
Asnjë nga vendet e rajonit nuk e aplikon këtë model, ndërsa arsyet se përse Ministria e Energjisë dhe Industrisë kërkon ta eksperimentojë atë, ngrenë dyshime të forta.
Përse duhet që qeveria të hyjë në negociata me investitorët çdo vit për të vendosur se sa do të jetë çmimi i energjisë së prodhuar? Mbi ç’baza do të ndryshojë çmimi dhe mbi ç’faktorë do të vendoset sa do të jetë ai kur metodologjia dhe teknika e prodhimit mbetet e pandryshueshme?
Nëse çmimi do të jetë i ndryshueshëm për çdo vit, çfarë plan–biznesesh mund të bëhen për të rritur investimet?
Pyetjet e mësipërme janë ngritur në diskutime të ndryshme mes investitorëve dhe hartuesve të ligjit. Këta të fundit, argumentojnë se numri i madh i koncesioneve të dhëna nga qeveria e djathtë krijojnë kosto tek konsumatori dhe se është e nevojshme vendosja e një çmimi të rishkuar për çdo vit në mbështetje të energjisë së rinovueshme, duke vendosur një formulë për një çmim të ndryshueshëm sipas referencave të tregut.
Po ky argument, më shumë se tek referencat e tregut dhe mbrojtja e konsumatorit, e ka bazën tek buxheti i shtetit dhe kontrolli që qeveria kërkon të ketë mbi koncesionet.
Aq më tepër kur të dhënat e Entit Rregullator të Energjisë (ERE) tregojnë se ajo çfarë e rëndojnë realisht konsumatorin janë importi dhe humbjet në rrjet.
Bazuar në të dhënat e ERE, duket qartë se ç’përqindje nga energjia e rinovueshme në raport me importet, që janë kostoja reale për ekonominë, të cilat përveç energjisë që i shesin konsumatorit, nuk kontribuojnë me asgjë në ekonominë shqiptare. Ndryshe nga sa ndodh me energjinë e importuar, energjisë së prodhuar në vend, çmimin që qeveria paguan, ai merr përsëri në një pjesë të madhe mbrapsht në punësim, tatime, taksa, tarifë fikse koncesionare dhe asete që i falen në fund të periudhës koncesionare.
Ulja e humbjeve për çdo vit, deri në arritjen në vlera minimale, do të mjaftonte për të mbështetur investimet në energjinë e prodhuar nga hidrocentralet e vegjël, ku deri më sot janë realizuar 400 milionë euro investime.
Dy tabelat faktojnë konceptet se investimet në hidroenergjetikë që rëndojnë konsumatorin final mbeten të gabuara, për aq kohë sa në realitet, pesha që bie mbi konsumatorin është ajo që vjen nga importet dhe humbjet e mëdha në rrjet.
Për të eliminuar pasigurinë që sjell çmimi i energjisë i rishikuar çdo vit nga qeveritë, duke pasur për bazë konceptin e gjendjes së buxhetit të shtetit dhe jo atë të kthyeshmërisë së investimeve, do të ishte më efikase të hartohej një plan strategjik që të ndiqej nga çdo qeveri për uljen e humbjeve.
Ligji i ri për energjinë e rinovueshme, nga sa rezulton edhe nga konsultat me investitorët e fushës, duhet të ishte një garanci për investimet aktuale dhe ato të ardhshme. Përcaktimi i një çmimi afatgjatë të pandyshuar do të shmangte pasigurinë në këtë sektor dhe në këtë mënyrë do të kishin kuptim plan–bizneset dhe do të evitoheshin negocimet me çdo qeveri të radhës.
Rishikimi i çmimit të energjisë së prodhuar çdo vit i vë prodhuesit nën presion, në kushte pasigurie e paqartësie për të kuptuar nëse duhet të investohen më tej për të prodhuar energji apo prodhimi do të jetë i kotë, për shkak se çmimi i shitjes së energjisë nuk do të mjaftojë as për t’u kthyer investimet.
Kështu draftligji i ri për energjinë e rinovueshme, në thelbin e tij shkon në drejtim të kundërt me qëllimin strategjik për të mbrojtur investimet vendase e të huaja dhe për t’u garantuar atyre vijueshmëri, për të thithur investime të tjera në këtë sektor të rëndësishëm dhe gjithashtu për të rritur prodhimin e energjisë në vend.