Çmimi i ujit në Tiranë 2.2 herë më shtrenjtë se sa në Berlin

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e ka rritur çmimin e ujit për qytetarët 2.2 herë më shtrenjtë se në Berlin. “Rritet me 45% çmimi i ujit në Tiranë! Lal Plehu, i rritur, siç pretendon, duke shitur fiq, tani duke shkelur çdo ligj u rrit qytetarëve dhe bizneseve me 45% çmimin e ujit apo 2.2 herë më shtrenjtë se në Berlin! Vetëm protesta mund t’ju mbrojë ju të dashur qytetarë nga ndëshkime të tilla banditeske!”, shkruan Berisha në një postim në Facebook.
Një specialist i ka shkruajtur Berishës se, rritja e çmimit të ujit nga Bashkia e Tiranës me 45%, kalon çdo tolerancë të lejueshme teknike morale. “Përshëndetje Doktor, Enti Rregullator i Ujit paska miratuar pa bërë asnjë lloj oponence rritjen e çmimit të ujit të sugjeruar nga Lal Plehu, pa u konsultuar me asnjë teknicien dhe i votuar në Këshillin Bashkiak në një formë shumë misterioze që nuk u mor vesh. Si ka mundësi që çmimi i ri do të jetë 65 lekë/m3 nga 45 lekë/m3, pothuajse rritje me 45%, gjë që kalon çdo tolerancë të lejueshme teknike morale.
Në Tiranë 1 m3 ujë i papijshëm, se dhe kjo duhet marrë, parasysh do kushtojë 65 lekë, me një rrogë minimale 22.000 lekë, ndërsa në Berlin 1 m3 ujë i pijshëm kushton 240 lekë, me një rrogë minimale 175.000 lekë. Po ta llogarisni jemi 2.2 herë më të shtrenjtë se Berlini dhe për më tepër me ujë që nuk pihet dot, sepse përsëri nga një buxhet familjar harxhohen mijëra lekë shtesë në muaj për të blerë ujë të pijshëm. Ju lutem denoncojeni si skandal, se kjo gjë po kalon pa u përmendur fare, në fakt kjo është vjedhje e drejtpërdrejtë që i bëhet çdo qytetari pa asnjë dallim”, shkruan specialisti.
Enti Rregullator i Ujit miratoi para tre ditësh kërkesën e bërë nga Veliaj dhe Rama, për rritjen e çmimit të ujit me mbi 45% për qytetarët e Tiranës. Nga 1 janari, qytetarët e kryeqytetit do të paguajnë faturat e ujit të dyfishuara. E gjithë lëvizja e UKT, e orkestruar nga Veliaj u bë si qëllim për propozimin e rritjes së tarifave të planifikuar qysh kohë më parë. Çmimi i ujit në Tiranë do të rritet nga 45 lekë/m3 në 65 lekë/m3 për familjarët dhe nga 135 lekë/m3 në 190 lekë/m3 për bizneset. Rritja e çmimit do të prekë edhe tarifën fikse mujore. Aktualisht, çdo familje paguan 100 lekë në muaj si tarifë fikse dhe propozohet që kjo tarifë të dyfishohet në 200 lekë në muaj.
Partia Demokratike reagoi menjëherë kundër rritjes së çmimit të ujit të pijshëm nga Bashkia e Tiranës. “Bashkia e Tiranës po rrit çmimin e ujit si një dhuratë për pronarët e ardhshëm të Ujësjellësit të Tiranës, që do ta privatizojnë këtë kompani publike, me siguri për të ndarë bashkë fitimet me Erion Veliajn dhe Edi Ramën”, deklaroi Akil Kraja, anëtar i Këshillit Bashkiak të PD. Ai tha se, i vetmi qëllim i rritjes së çmimit të ujit në Tiranë i shërben planit për privatizimin apo dhënien e UKT me konçesion dhe ndarjen e miliona eurove mes Ramës, Veliaj dhe konçesionarit, klient të tyre. “Me vendimin për rritjen e çmimit të ujit me 40%, Bashkia e Tiranës po u merr edhe më shumë para familjeve dhe bizneseve të kryeqytetit pa u dhënë një shërbim më të mirë. Nëse një familje paguan mesatarisht 10 mijë lekë në muaj vetëm për ujin, tani do të paguajë, 14 mijë lekë. Nëse një biznes paguan mesatarisht 50 mijë lekë në muaj vetëm për ujin, tani do të paguajë 70 mijë lekë. Rritja me 40% e çmimit të ujit nga Bashkia e Tiranës është e pajustifikuar dhe të gjitha të dhënat tregojnë se është një rritje për një aferë të madhe korruptive, privatizimin e Ujësjellësit të Tiranës. Prej 2 vitesh, ekspertët nuk pranojnë të çertifikojnë bilancet e Ujësjellësit të Tiranës për shkak të abuzimeve dhe keqmenaxhimit. Aktualisht, Ujësjellësi i Tiranës, faturon vetëm 1 në 3 litra që prodhon, por për shkak të mungesës së investimeve, rezulton me fitim vjetor 5 milionë euro. Të gjitha të dhënat të çojnë në një konkluzion”, tha ai. Kraja tha se, Bashkia e Tiranës nuk po e rrit çmimin e ujit për të përmirësuar furnizimin me ujë. Ajo dështoi me këtë politikë, kur rriti çmimin e biletës së autobuzëve.

Artikulli paraprak1 ton drogë nga Shqipëria sekuestrohet në Firence
Artikulli tjetërGjendet i vdekur një 53-vjeçar në Durrës