Po qëndron prej disa ditësh në Tiranë, Frida Ghitis, gazetarja e “CNN” që pak ditë më parë nuk i kurseu fjalët më të mira, për Shqipërinë dhe shqiptarët. Në opinionin e saj, ajo vlerësonte harmoninë fetare dhe shprehte pa komplekse, bindjen se Shqipëria mund të jetë një shembull për të gjithë botën. Gazetarja vazhdon të qëndrojë në Tiranë dhe sapo ka botuar një shkrim tjetër. Kësaj radhe, e frymëzuar nga skandali “Panama papers”, Frida Ghittis paralajmëron rrëzimin e qeverive të korruptuara që do të bien nga dokumentet që do të publikohen. “Disa do ta zhvlerësojnë që ta zhdukin si çështje, duke ju thënë se është e gjitha një keqkuptim i madh. Do t’ju thonë se është një fortunë në gotë, ose ndoshta një teori e madhe konspiracioni. Mos i besoni! Shpërndarja e dokumenteve të Panamasë është një çështje e madhe”, shkruan Frida Ghittis. “Ky është një tërmet. Lëkundjet do të vazhdojnë për muaj me radhë, ndoshta edhe vite. Ky mund të jetë edhe fillimi i fundit të sekreteve. Disa prej figurave më të fuqishme botërore dhe të afërmit e tyre akuzohen se kanë fshehur pasurinë. Dhe të mendosh që sapo kemi filluar”, shkruan Frida Ghittis për “CNN”, gjatë kohës që qëndron në Tiranë. “I gjithë ky informacion në shumë raste mund të krijojë dëme ose të lërë pasoja. Dhe nuk do të vijë si një shok. Në vend të kësaj, nxjerrja e këtyre dokumenteve mund të konfirmojë shumë dyshime. Por nëse të dhënat në këto dokumente dalin të sakta, ato do të ndihmojnë në ndryshimin e sjelljes- kur Wikileaks publikoi të dhënat e një feste luksi në Tunizi të organizuar nga dhëndri i Presidentit, me akullore që ishte sjellë nga Franca, kjo ndihmoi në rritjen e revoltës që përmbysi diktatorin. Siç e kam shkruar më herët, korrupsioni është një helm vdekjeprurës që paralizon ekonominë, shton varfërinë dhe ndërsa rritet, mund të marrë edhe jetë. Krerët e shteteve jo vetëm i vjedhin paratë e vendit të tyre, por në shumë raste ato i orientojnë politikat drejt përfitimeve personale, duke i privuar vendet nga qeverisja e drejtë. Pastaj janë miqtë e njerëzve të fuqishëm, që papritur bëhen të pasur. Pasuria e tyre nuk është vetëm provë e bujarisë së qeveritarëve. Jo, autokratët i pasurojnë njerëzit rreth tyre për të mbrojtur fuqinë e tyre, të blejnë miratimin e tyre, që bashkëpunëtorët e tyre të heshtin. Ndonjëherë kritikët shkojnë në burg, ndonjëherë pasurohen. Në të dyja rastet, qëllimi është që ata të heshtin. Në përfundim, korrupsioni minon qeverisjen e mirë dhe forcon diktatorët. A ishte surprizë që ‘Panama Papers’ nxorën në dritë kompani të parajsave fiskale të lidhura me Presidentin e Sirisë, Bashar al-Assad apo me Moamar Gadafin dhe Presidentin e rrëzuar të Egjiptit, Hysni Mobarak? Në një nga lëvizjet më pozitive të kohërave tona, njerëzit po përdorin gjithnjë e më shumë informacionin të shkulin korrupsionin. Ata tashmë kanë rrëzuar qeveri. Publikimi i dokumenteve të Panamasë shenjon një moment të rëndësishëm në këtë trend. Mos lejoni askënd t’ju thotë se kjo nuk është një çështje e madhe!”, shkruan Frida Ghittis. Skandali i Panamasë i quajtur ‘Panama Papers’ ka nxjerrë në pah emrat e shumë liderëve botërorë dhe figurave publike, emrat e të cilëve janë ndodhen në plot 11.5 milionë dokumente, zbulimi më i madh gazetaresk i bërë ndonjëherë. Llogaritë bankare të quajtura offshore përdoren për të shmangur kontrollet dhe taksat. Kompanitë apo individët përdorin këto llogari për të fshehur pronësinë apo informacione të tjera në lidhje me fondet apo pasurinë. Këto llogari të fshehta ndodhen më së shumti në Panama, Ishujt Cayman, Bermuda dhe në disa vende të tjera të vogla, të cilat konsiderohen ndryshe parajsa fiskale.
OKB: Vendet e varfra humbin çdo vit 100 miliardë USD nga offshoret
Vendet në zhvillim po humbasin çdo vit 100 miliardë dollarë nga taksat për shkak se investitorët e huaj i kanalizojnë fitimet e tyre përmes parajsa fiskale për t’i shpëtuar taksimit. Përfundimi tronditës vjen nga një raporti i organizatës së Kombeve të Bashkuara. “Praktikat e shmangies së taksave përmes parajsave fiskale janë përgjegjëse për një rrjedhje të madhe të burimeve financiare të vendeve të varfra duke penguar zhvillimin e tyre,” deklaroi pas publikimit të raportit, Mukhisa Kituyi, sekretarja e përgjithshme e UNCTAD-it, krahu ekonomik i OKB-së. Sipas raportit, investitorët e huaj devijojnë rreth 450 miliardë dollarë fitime në vit nga vendet në zhvillim drejt parajsave fiskale. Sikur këto fitime të taksoheshin mesatarisht me 20 për qind atëherë, vendet e varfra të botës do të kishin rreth 100 miliardë dollarë më shumë në vit për të financuar zhvillimin e tyre. Shifra është thuajse e barabartë me të gjithë ndihmën që vendet e zhvilluara japin për ekonomitë e varfra të botës.
Shifrat
Sipas OKB në vitin 2012, kompanitë kishin 21 trilionë dollarë investime të huaja në mbarë botën. Por më shumë se 30 për qind e këtyre investimeve, ose 6.5 trilionë dollarë janë kanalizuar përmes parajsave fiskale. Por si shmangen taksat përmes parajsave fiskale? Skema është e thjeshtë. Kompanitë i realizojnë të ardhurat në vendet e varfra ku kanë investuar, por faturojnë në këto vende shpenzime artificiale përmes parajsave fiskale. Përmes shpenzimeve të fryra articialisht, të cilat nuk mund të kontrollohen pasi origjinojnë nga parajsat fiskale, kompanitë ulin në minimum fitimet e tyre dhe rrjedhimisht edhe taksat që duhet të paguajnë në vendet pritëse. Këto para do ishin të mjaftueshme për të financuar mijëra projekte dhe për të përmirësuar jetën e miliona qytetarëve të varfër në mbarë botën.