Një ëndërr e bërë realitet, kështu e cilësoi trajneri i Uellsit, Chris Coleman kualifikimin e përfaqësues britanike në gjysmëfinalet e Euro 2016-të. Ndaj Belgjikës, Uellsi i surprizoi të gjithë, duke arritur një fitore të jashtëzakonshme me shifrat 3-1. Goli i sulmuesit Robson Kanu ishte qershia mbi tortë e një ndeshjeje të luajtur në mënyrën më të mirë të mundshme nga ekipi i Coleman. Përballë yjeve të Belgjikës fitoi mentaliteti i Uellsit një skuadre që në debutimin e saj në Europian e sheh veten mes 4 më të mirave të kontinetit, për meritë të një grupi të palodhur futbollistësh që nuk ndalojnë së vrapuari gjatë gjithë 90 minutëshit të një ndeshjeje. Është Gareth Bale lideri i këtij Uellsi, por po aq i rëndësishëm për këtë kombëtare është dhe trajneri Chris Coleman.
“Është e pabesueshme kemi bërë realitet një ëndërr. Ky kampionat europian do të mbetet gjithmonë në mendjet tona, sepse kemi arritur atë që asnjë se besonte. E kisha ëndërruar gjithmonë një moment të tillë dhe jam i lumtur që jam pjesë e kësaj skuadre. Kemi gëzuar një popull të tërë me ndeshjet që kemi zhvilluar në Euro 2016-të. 4 vjet më parë ndodheshim shumë larg pozicionit ku jemi sot, por falë punës dhe përkushtimit kemi arritur të kualifikohemi në fazën gjysmëfinale të një Europiani. Jemi duke e shijuar këtë kompeticion dhe do të vazhdojmë të ëndërrojmë, nuk dëshirojmë të ndalemi me kaq”.
I zhgënjyer në fjalën e tij trajneri i Belgjikës, Marc Wilmots. Është me të vërtetë e pashpjegueshme sesi Djajtë e Kuq me yje të kalibrit Botëror në përbërje u mposhtën në atë mënyrë nga Uellsi.
“Mendoj se kishim një strategji të mirë, sepse në 20 apo 25 minutat e para ne luajtëm një ndeshje të mirë. Ne dominuam ndaj tyre në fillim dhe arritëm të kalonim në avantazh. Megjithatë, përballë një ekipi të tillë kaq fizik, nuk mund të luanim gjatë gjithë kohës në sulm dhe vendosa ta tërhiqja ekipin 15 metra më prapa. Por kjo nuk funksionoi dhe nuk arrij dot ta shpjegoj sesi humbëm në atë mënyrë. Ju gazetarët mund të më gjykoni sa të doni, por unë nuk jam një magjistar dhe mos harroni që mbrojtja jonë në sfidën ndaj Uellsit kishte një moshë mesatare jo më të madhe se 23 vjeç. Gjithsesi të gjitha përgjegjësitë për këtë disfatë janë të miat”.