Partia Demokratike ka reaguar nëpërmjet kreut të këshilltarëve të PD në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Kreshnik Çollaku, i cili theksoi se 2.5 milionë euro nga taksat e qytetarëve të Tiranës për të shkulur palma e për të ngulur pisha është abuzim që ndodh me paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe të Tiranës, që vetëm para disa javësh u ngarkuan me një taksë të re për ujin, që do e paguajë çdo qytetar i Tiranës. “Siç e keni ndjekur sot gjatë ditës, në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, këshilltarët e Partisë Demokratike kanë qenë pjesë e debateve konstruktive për çështjet e parashikuara në rendin e ditës. Kemi dhënë argumenta, kritikat dhe oponencën, por edhe mbështetjen në ato që na janë dukur racionale dhe në shërbim të qytetarëve të Tiranës. Në mënyrë të papritur, jashtë çdo lloj procedure të mbledhjes, jashtë çdo lloj detyrimi të rregullores, nga grupi i mazhorancës është tentuar të imponohej dy vendime për t’u diskutuar në mbledhjen e Këshillit, për të cilat në dijeni janë vetëm krerët e grupit të mazhorancës. Asnjë komisioni nuk i ka trajtuar projektvendimet dhe nuk janë mbledhur. Asnjë këshilltar, jo vetëm të opozitës, por edhe një pjesë e mirë e mazhorancës nuk ishin në dijeni të këtyre projektvendimeve dhe për këtë shkak po tentohet me forcën e kartonave në mënyrë abuzive që ato të kalojnë në mënyrë të dhunshme, duke thyer çdo etikë, çdo kod, çdo respekt të mandatit të këshilltarëve, çdo procedurë të ndjekur deri më sot. Një nga këto projektvendime është aferë e pastër, një shërbim dhe favorizim që i bëhet një biznesi taksish në kryeqytet në kundërshtim dhe në dhunim me normat normale të konkurencës dhe respektit të bizneseve të tjera. Për më tepër në dhunim flagrant të institucionit të Këshillit Bashkiak, pa dijeninë e këshilltarëve, në mënyrë klandestine dhe ky proces po ndodh në mënyrë falso dhe fasadë në këto momente në Këshill. Në këtë situatë, ne kemi vendosur të mos jemi fasadë e kësaj historie të shëmtuar, abuzive dhe të këtij monopoli që duan të krijojnë për interesa oligarkësh të caktuar e interesash private që do t’i zbardhim në ditët në vijim. Gjithashtu pjesë e vendimeve të shëmtuara e të turpshme që ky Këshill Bashkiak i dominuar dhe në dhunën e kartonave socialistë, është edhe një aferë e pastër korrupsioni, një aferë e rëndë për xhepat e qytetarëve, është historia e palmave. Palmat e nglura në mënyrë të marrë nga kjo mazhorancë përgjatë autostradës me një kosto të jashtëzakonshme për xhepat e qytetarëve, sepse qytetarët e Tiranës duhet të dinë se kosto e një palme ka qenë mbi 5 mijë euro, dhe duke qenë se palmat u thanë dhe kjo marrëzi u diskretitua në mënyrë publike, duket se mekanizmi i korrupsionit dhe aferave kërkon një karburant tjetër. Dhe karburanti tjetër e kanë gjetur. Kanë vendosur të shkulin palmat e të ngulin pishat. Qytetarët e Tiranës duhet ta dinë se kostoja e një pishe që duan të mbjellin me këto vendime të turpshme që po marrin në atë sallë, është 5 milionë lekë të vjetra. Vetëm një pishë kushton 5 milionë lekë. Imagjinoni se sa vakte ushqimore për fëmijët, sa shkolla do të ishin ndërtuar apo rehabilituar në rast se këtyre oligarkëve dhe këtyre njerëzve totalisht pa asnjë lloj shenje përgjegjesie në interes të qytetarëve, nuk do t’i kishin rezistuar tundimit për të vjedhur e grabitur. Vendimi që po marrin është një absurditet i radhës. Harxhohen 2.5 milionë euro nga taksat e qytetarëve të Tiranës për të shkulur palma e për të ngulur pisha. Është e turpshme, komike dhe tragjike, duke menduar që ky abuzim ndodh me paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe të Tiranës që vetëm para disa javësh u ngarkuan me një taksë të re për ujin, që do e paguajë çdo qytetar i Tiranës. Justifikimi për taksën e ujit ishte se nuk na dalin fondet që të bëjmë rehabilitim në rrjet, ndërkohë që harxhohen 2.5 milionë euro për të ngulur pisha të cilat me projektin e zgjerimit të autostradës, për një vit apo dy do të hiqen prap. Pra është një abuzim i turpshëm dhe i pamerituar për logjikën e qytetarisë në këtë kryeqytet, pavarësisht bindjeve politike. Këshilltarët e PD nuk mund të bëhen pjesë e kësaj fasade, nuk mund të bëhen pjesë e këtij krimi që po u bëhet qytetarëve të Tiranës, ndaj ne sot kemi refuzuar këtë teatër të shëmtuar, sepse në fund të fundit siç thuhet në fjalët e urta; turpin çdo njeri e ka për vete. Këta njerëz që abuzojnë me mandatin dhe besimin e qytetarëve të Tiranës dhe votuesit e tyre në mos paçin turp nga qytetarët e Shqipërisë, të kenë turp para atyre njerëzve që i kanë votuar dhe besuar dhe sot detyrohen të paguajnë tekat e tyre, korrupsionin e tyre me taksa të shtrenja, të cilat çdo familje e Tiranës do të fillojë t’i provojë në kurriz. Beteja jonë do të vazhdojë, do të denoncojmë, do të monitorojmë, por ne nuk mund të bëhemi as fasadë dhe as makiazh i kësaj historie të turpshme e mafioze, ku vetëm mëndje të mbrapshta mund të provojnë historira të tilla të abuzimit flagrant me fondet dhe me mundimin e qytetarëve”, tha Çollaku.
Kryesore
Continue to the categoryAzgan Haklaj: Pse mungon çështja kombëtare në programet elektorale të Rilindjes...
Nga Azgan Haklaj
Eshtë e papranueshme në mos nën sens dhe e denueshme teksa fushata zgjedhore po shkon drejt fundit dhe me asnjë rrjesht e...