Coman “snobon” Juven, i premton besnikëri Bayernit

Për Kingsley Coman, Juventusi tashmë i përket të shkuarës. Sulmuesi francez, i cili luan si i huazuar nga  bardhezinjtë te Bayern Munich prej 1 sezoni nuk e mendon më rikthimin në Torino. Coman i ka bindur të gjithë me paraqitjet e tij te kampionët e Gjermanisë dhe në verën e ardhshme, Bayerni pritet të ushtrojë opsionin që ekziston në marrëveshjen mes dy klubeve për blerjen përfundimtare të 20-vjeçarit për shumën e 21 milionë eurove. “Luaj në një prej skuadrave më të mira të botës dhe dua të qëndroj gjatë te Bayerni”, është shprehur së fundmi Coman në një intervistë për mediat gjermane.
Pikërisht ndaj Juventusit në Champions League sezonin e kaluar Coman zhvilloi një nga ndeshjet e tij më të mira në karrierë, të paktën kjo është ajo që lë të kuptohet sulmuesi 20-vjeçar. Në fitoren 4-2 të bavarezëve ndaj bardhezinjve në sfidën e kthimit të raundit të 1/8-ave që i mundësoi Bayernit kualifikimin për në çerekfinale, Coman asistoi Muller-in në golin e 2-2 që çoi sfidën në shtesë, ndërkohë që realizoi golin që vulosi kualifikimin e gjermanëve, atë të 4-2. “Nuk i dihet se çfarë mund të më rezervojë e ardhmja, por unë e shoh veten te Bayern Munich edhe për shumë vite”, theksoi në fund të fjalës së tij talenti francez.

Exit mobile version