Antonio Conte merr frymë lirisht. Trajneri i përfaqësueses italiane, i cili sezonin e ardhshëm do të marrë drejtimin e Chelsea-it, është liruar nga gjykatësi Pierpaolo Beluzzi për seancën paraprake, ku Conte do të gjykohej si i pandehur për mashtrim sportiv, pasi emri i tij është lakuar në skandalin e trukimit të ndeshjeve. Conte në këtë seancë gjyqësore duhet t’i jepte një përgjigje Prokurorisë italiane për hetimet e kësaj të fundit mbi ndeshjen Albinoleffe-Siena e zhvilluar në 29 maj të vitit 2011, periudhë në të cilën 46-vjeçari nga Lecce ishte i ulur në stolin e Sienës.
Prokuroria e Cremonës ku Conte u gjykua sipas një procedure të shkrutuar dhe më ekzaktësisht prokurori Roberto Di Martino kishte kërkuar një dënim prej 6 muajsh burg për trajnerin e përfaqësues italiane dhe një gjobë prej 8 mijë eurosh. Hetimet e Policisë italiane mbi skandalin e trukimit të ndeshjeve, çuan në pranga shumë persona në vitin 2011. Antonio Conte, ndërkohë gjithmonë e ka mohuar përfshirjen e tij në skandalin e trukimit të ndeshjeve në futbollin italian.
Ndërkohë, trajneri i Interit Roberto Mançini ka konfirmuar qëndrimin e tij me zikaltrit edhe në sezonin e ardhshëm. Pas disa rezultateve të dobëta të Interit në javët e fundit në Serinë A, ishin shtuar zërat për një largim të mundshëm të tij. Por sot ka qenë vetë trajneri, i cili ka konfirmuar se do të qendrojë në drejtimin e skuadrës. “Me 100 për qind të mundësive do të qendroj te Interi. E ndjej besimin e shoqërisë, me Tohir (presidentin) kemi folur edhe dje”, ka thënë Mançini sipas “Corriere dello Sport”.
Trajneri italian ka folur edhe për përfshirjen e emrit të tij si një prej kandidatëve të mundshëm për të drejtuar kombëtaren italiane. “Të drejtoj kombëtaren italiane është një prestigj. Nëse do më ndodhte mua, do të mendohesha. Nuk të ndodh shpesh, është e vështirë ta refuzosh”, ka shtuar ai. Ndërsa performancën e ekipit e ka vlerësuar me notën 6.5, duke e lidhur këtë me rritjen e pësuar në krahasim me një vit më parë. Por paçka këtij vlerësimi, Mançini është treguar edhe i pakënaqur, pasi sipas tij, ky nuk është një vlerësim që pritet prej Interit.
Ndërsa Karlo Ançeloti ka një eksperiencë 20-vjeçare si trajner në arenën ndërkombëtare. Ai e nisi te Rexhina në vitin 1995 dhe do të vijojë te Bajerni nga 11 korriku 2016. Teksa ka fituar çdo trofe të mundshëm kombëtar e ndërkombëtar me 6 ekipet që ka drejtuar, Ançeloti përsëri është shkarkuar dy herë nga Çelsi dhe Reali. Gjatë një interviste për gazetën britanike “The Times”, Ançeloti tregon si refuzoi Junajtidin dhe se një ditë edhe Guardiola do të shkarkohet.