Conte rikonfirmohet kapiten i anijes te Chelsi

Antonio Conte do të vazhdojë të jetë timonieri i skuadrës së Chelsit. Kanë marrë fund zërat për një largim të mundshëm të teknikut italian nga stoli i “Bluve të Londrës”, pasi 47-vjeçari ka rinovuar kontratën e tij me kampionët e Anglisë. Njoftimi zyrtar është bërë të martën në mbrëmje nga ana e drejtuesve të klubit anglez, përpara se skuadra të niset për turneun aziatik, ku do të zhvillojë disa teste miqësore kundër Arsenal, Bayern Mynihut dhe Inter. Pas hedhjes së firmës, Conte u shpreh se ndihet i kënaqur që do të vazhdojë të drejtojë Chelsin.
“Jam shumë i gëzuar për rinovimin e kontratës. Në vitin e parë kemi punuar shumë për të arritur diçka dhe ne ia dolëm të fitonim kampionatin. Ndihem shumë krenar për këtë. Tashmë detyra jonë është të vazhdojmë të punojmë për të qëndruar në majë”.
Gjatë këtyre ditëve në mediat britanike u përfol për një krisje të marrëdhënies midis Antonio Contes dhe numrit një të klubit londinez, Roman Abramovich. Shkak mendohej të ishte merkato e dobët. Rinovimi i hedh poshtë të gjithë këto aludime dhe tek kampionët e Anglisë duket se është rikthyer harmonia. Firmat janë hedhur, një marrëveshje trevjeçare, nga ku italiani do të përfitojë 10 milionë euro në sezon.

Exit mobile version