Do të jetë një Brazil, pa shumë yje ai që do të marrë pjesë në Copa America Centenario, kompeticion, i cili do të zhvillohet muajin e ardhshëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Trajneri i Selecaos Carlos Dunga bëri publike listën përfundimtare të 23 futbollistëve që do të përfaqësojnë 5-herë kampionët e Botës në këtë edicion special të Kupës së Amerikës që zhvillohet me rastin e 100-vjetorit të këtij turneu. Në përzgjedhjet e Dungës bien në sy mungesat e emrave të mëdhenj si Neymar Jr, Thiago Silva, David Luiz, Marcelo apo edhe Kaka.
Nëse për sulmuesin e Barcelonës dihej mungesa e tij, pasi Neymar do të jetë pjesë e Brazilit në Olimpiadën e Rios, duken me të vërtetë të çuditshme zgjedhjet e Dungës për të lënë jashtë dy mbrojtësit e Paris Saint Germain, si dhe anësorit e Realit të Madridit. Thiago Silva në fakt nuk grumbullohet prej kohësh në kombëtare, pasi Dunga fajëson ende për atë eliminimin ndaj Paraguait në edicionin e kaluar të Copa America që u zhvillua në Kili, me ish-kapitenin që në atë sfidë preku topin me dorë brenda zone, duke shkaktuar penalltinë që solli barazimin e Paraguait, me këta të fundit që e fituan më pas ndeshjen pas goditjes së 11-metërshave.
Në portë emri më i rëndësishëm i grumbulluar nga Dunga është ai i Diego Alves të Valencias, ndërkohë që prapavija e Selecaos në këtë kompeticion do të udhëhiqet nga Joao Miranda i Interit, por edhe Dani Alves e Filipe Luis. Në mesfushë futbollistët me më shumë peshë janë Luiz Gustavo, Coutinho, Casemiro, Douglas Costa dhe Willian, ndërsa në sulm Hulk dhe Ricardo Oliveira. Në këtë edicion të Copa America, Brazili bën pjesë në të njëjtin grup me Ecuardorin, Perunë dhe Haitin.