Çorape të reja me lule, këmbët të palara!

NGA POLI HOXHA

Në fund të viteve `80 dhe fillim të viteve `90, Kombinati Tekstil i Korçës nisi të prodhonte “çorape me lule”, të cilat përveçse shiteshin shtrenjtë dhe nën dorë, duhej edhe mik për ti siguruar. Këto çorape tregonin njëfarë statusi në atë kohë ndaj një student konviktorë për tu mburrur, i kthente pantallonat deri te kyçet dhe vinte vërdallë i krekosur, sidomos përpara femrave.

Por një ditë një prej shokëve të dhomës u tregoi të gjithëve se ky tipi që mbante çorape me lule, nuk lahej kurrë dhe kutërbonte era përç, aq sa kishin bërë kërkesë që ose kujdestari të largonte atë nga dhoma e tyre, ose të iknin ata që aty. Në atë kohë nga kjo histori reale doli shprehja: Çorapet me lule, por këmbët të palara!

Mu kujtua kjo pas vendimit të Gjykatës së Apelit për të njohur legjimitetin e PD, në favor të Rithemelimit dhe Sali Berishës. Kujdestari në fund fare vendosi që në shtëpinë e familjes së madhe demokrate, të lërë brenda “këmbët e palara” pavarësisht se mbulohen me çorape të shtrenjta. Kujt i pëlqen era e rëndë është në rregull, kujt jo, të durojë ose të zhvendoset në një shtëpi tjetër.

Kaq e thjeshtë është kjo histori për partinë që u krijua nga studentët dhe inspiroi demokracinë perëndimore për Shqipërinë. Pa hyrë fare në teknikalitete juridike, bilanci i parë që mund të bëjmë është se Edi Rama ja doli edhe njëherë, (Tani për tani), që të gjejë alibinë e madhe për zgjedhjet e vitit 2025 dhe mandatin e katërt.

Spotin elektoral e ka gati: “Gogoli” që zgjat kokën natë për natë nga dritarja, ai vetë me dajre në dorë dhe ec “përpara jo prapa”, për të vazhduar t’ia fusim edhe 4 vite shqiptarëve, që vazhdojnë të jetojnë këtu.

Është një strategji që i ka funksionuar, ndaj edhe në fjalimin e fundit u bëri thirrje shqiptarëve që të mobilizohen në zgjedhjet e ardhshme dhe të shporrin me votë “Gogolin”, sepse sipas tij ai është ende gjallë dhe aq shumë “i fuqishëm”, sa që detyroi edhe RAI 3 që të bëjë investigime me shpifje kundër qeverisë së tij “të ndritur”.

E bëri këtë në vitin 2021 me parullën frikësuese, “votoni Lulin dhe merrni paketë Berishën”, e përsëriti me dajre në dorë në zgjedhjet e 14 majit duke i vendosur vetes përballë “Gogolin nongrata”, po shkon drejt kësaj rruge, edhe në ato të 2025. Këtë herë me “Gogolin nongrata” të mbyllur në arrest shtëpie për korrupsion, por që është kryetar i PD dhe opozitës dhe i vetmi që duhet “mundur”.

Edi Ramës bravo i qoftë që përsërit pafund të njëjtën skemë mashtruese dhe frikësuese dhe në fund i funksionon. Çështja këtu është te ata që ndjekin dhe pranojnë “çorapet me lule” që mbulojnë këmbët e palara. Po të jetë për këmbë që kutërbojnë dhe çorape të bukura dhe të shtrenjta që i fshehin ato, Edi Rama dhe qeverisja e tij, janë të pa konkurrentë dhe e tejkalojnë ku e ku Berishën dhe Rithemelimin, që tashmë do të shfaqen si “Lulja PD”.

Pra sipas këtij skenari për të cilin Rama ka 3 vite që punon dhe investon, në Shqipëri ka vetëm një “betejë” politike, “demokratike” dhe elektorale. Ajo mes PS, (Rilindjes) dhe PD, (Rithemelimit). Ky është fati i shqiptarëve sipas tyre. Të zgjedhin mes dy të këqijave. Fundi dihet: Fiton gjithmonë e keqja që ka pasuri dhe pushtet më shumë!

Jashtë kësaj skeme mbeten të paktën 70% e shqiptarëve të cilët besojnë ende se më në fund pushteti 30 vjeçarë i çorapeluleve do të bjerë, se drejtësia e re do ti ndëshkojë duke zhdukur kutërbimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, se shteti ligjorë si kudo në Perëndim do të çlirojë demokracinë, partitë, votën, ekonominë dhe do ketë mirëqënie të paktën sa 10% e rrethit bizneso-politik-mediatik të dyshes Rama-Berisha që bëjnë sikur luftojnë egër. Pra këmbë të palara që me erën e tyre kanë mbytur Shqipërinë dhe gjithë botën, por çfarë nuk bëjnë e investojnë për “çorapet me lule” që veshin.

Vendimi i Apelit vërtetë i ka bërë një shërbim të madh dhe të fundit Edi Ramës dhe i ka dhënë një shiringë adrenaline Berishës, por ngado që ta vërtisin, këmbët e palara mbeten aty. Dëshpërimi dhe disfatizmi është i kuptueshëm. Veçanërisht te ata që u pozicionuan për një PD që mbështet drejtësinë dhe SPAK pa kushte, me rrugë dhe program të qartë për një Shqipëri euroatlantike. Por kjo duket se është prova e zjarrit!

Testi i fundit është për vetë Lulzim Bashën së pari dhe për këdo që ka qenë i rreshtua për idetë dhe parimet e forcës politike që drejton. Më shumë se provë zjarri kolektive dhe partiake, kjo është individuale për këdo që beson si 70% e shqiptarëve, se Shqipëria do të hedh pas dinosaurët e korrupsionit dhe do të kthehet në një vend normal me qeveri dhe institucione perëndimore.

Nëse ndjehen dhe janë ashtu siç janë shfaqur deri më tani, të pastër kundrejt shqiptarëve dhe SPAK, janë në rregull dhe le të vazhdojnë të shpërndajnë dhe sqarojnë nëpër Shqipëri, Programin fantastik që prezantuan së fundmi. Madje është e sigurtë që bëhen automatikisht më të fortë, pavarësisht se çfarë emri ka partia ku i bashkojnë vlerat dhe parimet dhe jo kullat dhe lejet e ndërtimit që edhe tani që shkruajmë, po i firmos Edi Rama për bizneset e Rithemelimit.

Vërtetë Foltorja e lindur vetëm si betejë kundër SHBA dhe Britanisë së Madhe tani është parti dhe mori nga Apeli dhe Edi Rama logon e PD-së që e themeluan studentëve dhe demokratëve idealistë, (të cilët në fakt e kanë braktisur ose janë përzënë nga kjo forcë me kohë), por poshtë saj tashmë strehoen bashkë gjitha të palarat e PD që nga krijimi.

Këmbët e palara mund të kenë të veshura që nga kjo e martë çorape të reja dhe më të bukura se më parë, por kutërbimin nuk e tyre nuk e mbulojnë dot as për demokratët dhe shqiptarët e ndershëm, as për SPAK dhe aq më pak për SHBA, Britaninë e Madhe dhe gjithë Perëndimin.

Exit mobile version