Coronavirus: Shkencëtarët në kërkim të përgjigjeve

Çfarë është coronavirus?
Coronavirus është një familje virusesh të zakonshme, të quajtur kështu prej pikave në sipërfaqen e tyre që formojnë një lloj kurore. Mund të shkaktojnë sëmundje që shkojnë nga i ftohti i zakonshëm në sindroma respiratore më të rënda si MERS-i (sindromi respirator i Lindjes së Mesme) dhe SARS-i (sindromi respiratori akut i rëndë). Në vitin 2003 SARS-i infektoi më shumë se 8000 njerëz, prej të cilëve 774 vdiqën. Epidemia aktuale, e shpërthyer në Wuhan, një qytet kinez me 11 milion banorë në Provincën Hubei, është shkaktuar nga një coronavirus deri më tani i panjohur, i quajtur 2019-nCoV.

Cilët janë simptomat e virusit të ri?
Mbi të gjitha the dhe kollë dhe, në disa raste, vështirësi respiratore. Simptomat duket se manifestohen midis 2 ditëve dhe 2 javëve pasi personi i është ekspozuar virusit. Një hulumtim, i botuar në revistën mjekësore “The Lancet”, ka analizuar të dhënat lidhur me 41 pacientët e parë të shtruar në spital. Me moshë mesatare 49 vjeç, ¾ qenë meshkuj dhe më pak se 1/3 paraqisnin një patologji tjetër: diabet, hipertension apo sëmundje të tjera kardivaskulare. Të gjithë kishin pulmonit dhe, përveç njërit, ethe. Në ndryshim nga SARS-i, 41 pacientët e parë nuk paraqisnin simptoma lidhur me rrugët e sipërme ajrore, si hundë që rrjedh, djegie fyti, teshtitje. Vetë një pacient kishte diarre.

Si diagnostikohet dhe trajtohet?
Autoritetet shëndetësore kineze e kanë rikrijuar virusin në laborator, kanë sekuenciaur genomën e tij dhe kanë ndarë sekuencën me komunitetin shkencor ndërkombëtar. Virusi është rikrijuar edhe nga një grup kërkuesish australianë, që e ka vënë në dispozicion të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OMS). Nuk ekzistojnë antiviralë specifikë për infeksionin, vetëm trajtime simptomatike apo antivirale zakonisht të përdorura për infeksione të tjera. Aktualisht nuk ekziston vaksinë, por shkencëtarët e kanë identifikuar virusin me shpejtësi dhe kanë krijuar një test diagnostikues në më pak se një muaj. Përparimet e teknologjisë ka mundësi që të lejojnl testimin e një vaksine kundër 2019-nCoV brenda 3 muajsh. Megjithatë kalimi nga testimet në prodhim masiv kërkon shumë kohë.

Si transmetohet?
Coronavirusi i Wuhan ka shumë mundësi të transmetohet nëpërmjet kollës dhe teshtitjes, ashtu si gripi. Por nuk përjashtohet infektimi nga persona tashmë të infektuar pa simptoma apo gjatë periudhës së inkubacionit. Shkencëtarët po kërkojnë të kuptojnë shkallën e transmetimit të virusit. Një studim i dytë i “The Lancet”, i bërë me një familje, sugjeron se virusi ka kaluar nga një prind i sëmurl tek 6 të tjerë; vetëm 2 kishin pasur kontakte me pacientin fillestar. Ka qenë konfirmimi i parë i transmetimit të virusit nga njeriu tek njeriu.

Nga vjen virusi?
OMS-ja po punon akoma për ta individualizuar origjinën e virusit. Shumë prej rasteve të para të konfirmuara (por jo të gjitha) kishin të bënin me njerëz që në muajin dhjetor kishin qenë në një treg të Wuhan që shet edhe kafshë të gjalla. Një analizë gjenetike e kohëve të fundit sugjeron se coronavirusi i ri ngjan me një virus që godet lakuriqët e natës dhe gjarpërinjtë. Sipas Kristian Andersen, biology i institutit kërkimor SCRIPPS, që ka analizuar sekuencat e 2019-nCoV, infektimi parë mund të ketë ndodhur javë apo muaj më parë dhe virusi duket se ka ardhur në treg në një moment të dytë.

Ku është përhapur virusi deri më tani?
Prej 6095 rasteve të konfirmuara (të dhëna të azhornuara më 30 janar), më shumë se 98% gjendet në Kinë, sidomos në Wuhan, por edhe në Pekin, Shanghai e Guangdong. Prej 76 të infektuarve në botë – midis Tajlandës, Japonisë, Koresë së Jugut, Tajvanit, Shteteve të Bashkuara, Singaporit, Vietnamit, Australisë, Malajzisë, Francës, Nepalit, Kamboxhias, Kanadasë, Gjermaniës, Sri Lankas, Emirateve të Bashkuara, Finlandës – thuajse të gjithë vinin nga Wuhan apo nga qytete të tjera kineze. Raste transmetimi nga njeriu në njeri të ndodhura jashtë Kinës janë regjistruar në Vietnam, Japoni e Gjermani.

Sa infektues është virusi?
Akoma nuk është e qartë. Dihet që transmetohet nga njeriu në njeri. Autoritetet kineze kanë paraqitur prova rastesh të gjeneratës së katërt në Wuhan dhe infeksione të gjeneratës së dytë jashtë qytetit. Llogaritjet paraprake mbi numrin mesatar të infektimeve që çdo person i infektuar mund të shkaktojë, i njohur si R0, tregojnë se janë nga 1.4 në 2.5 për persona të infektuar. Gripi sezonal zakonisht ka një R0 prej rreth 1.3.

Sa është vdekjeprurës?
Deri më tani 133 të vdekur janë lidhur me virusin, gjë që sugjeron një përqindje vdekshmërie prej rreth 3%. Krahasuar, gripi normal ka një koeficent vdekshmërie prej rreth 0.14% (rreth 1 person në 1000). Koeficenti i vdekshmërisë së SARS-it është në rreth 11%, ajo e MERS-it në rreth 30%. Çdo vit në botë gripi normal sezonal godet miliona njerëz. Midis 3 dhe 5 milionëve kanë komplikacione dhe midis 250000 dhe 500000 vdesin.

A ka rrezik për një epidemi globale?
OMS-ja ka deklaruar se rreziku epidemik është shumë lartë në Kinë dhe i lartë në nivel rajonal. Është i lartë edhe në nivel global. Nëse numri i rasteve jashtë Kinës do të rritej, atëhere OMS mund të shpallë emergjencë shëndetësore ndërkombëtare.

Si frenohet epidemia?
Qeveria kineze ka marrë masa të paprecedent për t’i frenuar infektimet: ka zgjatur pushimet e Vitit të Ri kinez, ka mbyllur Bursën dhe shkollat deri në një urdhër të dytë. Zonat më të goditura nga virusi janë vënë në gjendje karantine: janë pezulluar transporti publik dhe trafiku privat. Masat prekin më shumë se 50 milion njerëz në 17 qytete. Hong Kongu ka ndërprerë lidhjet hekurudhore me Kinën kontinentale. Kompanitë ajrore “British Airways” dhe “Lufthansa” kanë pezulluar të gjitha fluturimet me Kinën. Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Europian, Australia dhe Japonia kanë organizuar fluturime speciale për të riatdhesuar shtetasit e tyre.

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakIntervista e Abidal që zemëroi Messin
Artikulli tjetërMediu në SHBA: Po punojmë me aleatët amerikanë…