“Corriere Della Sera”: E vërteta e menaxherit të drogës, Guido Guidi

“E vërteta e menaxherit nga Milano. Kështu sillte drogën e trafikanteve”. Ky është titulli i “Corriere Della Sera”  për pilotin italian Guido Guidi i cili dy ditë më parë u largua nga Tirana. Prej shtatorit ai ishte i ndaluar nga policia shqiptare pasi avioni me të cilin udhëtonte u rrëzua në Ishëm të Durrësit.
Fillimisht qëndronte i heshtur deri në mohim të akuzave, duke filluar nga 200 kilogramë marijuanë në avionin e tij të turizmit i cili për pak sa nuk u përplas ndërsa ulej në Ishëm pranë Durrësit. Por tashmë menaxheri Guido Andrea Guidi, 68 vjeç nuk hesht më. Rrëfim pas rrëfimi, duke vënë në alarm grupet shqiptare të trafikantëve, duke detyruar hetuesit shqiptarë ti merrnin pasaportën, duke e vendosur në mbrojtje për 24 orë në vend sekret për të evituar hakmarrjen apo dhe vrasjen e tij.
Guidi rrezikon shumë, dhe pse në të kaluarën ka pasur të tjera probleme me ligjin, si atëherë kur bëri marrëveshje për një incident ajror që shkaktoi vdekjen e dy pilotëve të kompanisë së tij të vogël ajrore. Më pas, ai do të lidhej me trafikantët e Ballkanit për të rregulluar problemet e tij ekonomike. Kontrata, nëse mund të quhet e tillë, parashikonte transportimin e drogës nga Shqipëria në Lombardi, dhe me destinacion final Milanon. Udhëtimet paguheshin nga 20 deri në 25 mijë euro. Ai duhej të fluturonte në lartësi të ulët për të evituar radarët, dhe do të ulej në dhjetëra aeroporte turizmi, por dhe në pista private të improvizuara në fshatra. E pikërisht këtu ai merrte ngarkesën me marijuanë nga trafikantët.
Çdo gjë ishte e lehtë, dhe kushti i vetëm ishte që të mos kapej. Incidenti në muajin shtator ndodhi në një zonë të izoluar, por që tregonte shumë për trafikantët se cilët mund të ishin ata, dhe Guidi sapo i kishte prishur maskimin. Agjentët e policisë prisnin mbërritjen e bashkëpunëtorëve të Guidit, ndërsa ky i fundit merrej në pyetje. E më pas ishte sistemuar në një hotel. Ndoshta menaxheri milanez ishte përpjekur të arratisej, por nuk kishte gjetur mbështetje, pasi bashkëpunëtorët e tij e kishin braktisur. E më pas shpresonte se do e kishin liruar dhe çështja kundër tij do të pushohej, por gjërat u përkeqësuan shumë shpejt dhe për shkak të gjetjes së një axhende në xhepat e tij, ku ishin shkruar emra të njohur dhe personazhe me influencë në jetën publike shqiptare.
Nga hoteli, Guidi mbahej i fshehur në kazermat e ushtrisë, por pozicioni i tij mbetej shumë delikat. Në momentin që Guidi gjen sigurinë tek hetuesit nis të flasë, duke dhënë informacione të vlefshme. Por përpara se të rikthehej në Itali do të kalonte dhe pak kohë, pasi hetuesit shqiptarë nuk kishin ndërmend ta lironin. Më pare, duhej të përfundonte hetimi, një nga shumë të tilla. Orët e fundit agjentë policie dhe karabinierë në Pulia, konfirmojnë mbërritjen sidomos në Salento të gomoneve të ngarkuara me drogë, pavarësisht temperaturave të ulëta dhe detit të trazuar.
Skafistët nuk dinë të pushojnë, pasi kërkesat janë të shumta dhe ofertat e mira. Sipas të dhënave më të fundit të Gurdia di Finanza, të ardhurat që vijnë nga trafikimi i marijuanës përbëjnë ¼ e prodhimit të brendshëm të Shqipërisë. Ka pasur kriminelë që u pasuruan me transportimin e emigrantëve në vitet e dëshpëruara të luftës civile në Shqipëri, e që tashmë kanë blerë shtëpi dhe hotele në Vlorë. Por pavarësisht jetës luksoze nuk i kanë rezistuar pasionit për krimin, duke u rikthyer në aktivitet, por kësaj here duke transportuar marijuanë. Një nga më aktivët, ka një epitet që i është dhënë për meritat e tij në këtë fushë: e quajnë “Çakalli”.

Exit mobile version