“Corriere della Sera”: Familjarë të Grillos shitën pajisjen e përgjimit

Klemend Balili është një menaxher i shtetit, një i besuar i qeverisë shqiptare. 7 kuintalë marijuanë të destinuara për në Milano. Trafikatët preferojnë kryeqendrën lombarde, pasi çmimet shkojnë 700–800 euro më shumë për kilogram.
Ngarkesa e fundit me drogë, e sekuestruar mbi një gomone (768.5 kg marijuanë të kapur në Greqi), ishte e destinuar për në Salento, ashtu si pjesa më e madhe e drogës që kalon Adriatikun për të përfunduar në brigjet italiane. Zakonisht, sipas Guardia di Finanza, marijuana “e importuar” kushton rreth 1 mijë euro për kilogram: trafikantët preferojnë Milanon si destinacion final, pasi çmimet shkojnë 700–800 euro më shumë për çdo kilogram.
Në krye të organizatës, që po trafikonte këtë ngarkesë e dhjetëra të tjera, qëndron një i dyshuar, i quajtur i “Escobari i Ballkanit”, i cili po kërkohet në mbarë Europën.

Njeriu i besuar i qeverisë shqiptare

Kelmend Balili është një menaxher i shtetit, një i besuar i qeverisë shqiptare, e cila ka rënë sërish në telashe të mëdha të trafikut të drogës.
Këto ditë, DEA, Agjencia amerikane e Antidrogës, ka bërë kritika të forta për shkallën lidhjes mes “aparatit” dhe trafikantëve. Veç kësaj, nuk është zgjidhur ende rasti flagrant i Dritan Zaganit, policit që me hetimet e tij kishte mbërritur deri tek ministri i Brendshëm shqiptar, i cili ishte burgosur e më pas arriti të largohej jashtë vendit nga frika se ndonjë vrasës me pagesë mund t’i bënte vizitë, një nga të shumtët “ujqër të vetmuar” në mision me detyrimin për të mos dështuar. Zagani ka bashkëpunuar me Guardia di Finanza, në radhë të parë për betejat dhe rezultatet kundër trafikantëve të drogës. Tani, ndjekja e Balilit mund të çojë në skenarë të tjerë që do të evokonin sërish Zaganin dhe do të lidhnin më shumë Shqipërinë me Italinë.

Shëtitjet në Galeri

Menaxheri i shtetit shqiptar, tregojnë burime hetimore, është parë disa herë në Milano, qoftë për takime zyrtare, si pasojë e profesionit të tij, qoftë për takime më “informalë” me bashkatdhetarë që operojnë mes Milanos dhe rrethinave. Klanet shqiptare të drogës, shpjegon një drejtues i karabinierisë, janë shumë aktivë në zonën e Abbiategrasso. Nuk zotërojnë të gjithë territorin, por janë të vendosur mirë. Dinë të lëvizin dhe kanë një “rrjet” efikas. Edhe në Pavese kanë një prezencë të rëndësishme. Sipas akuzës, Balili, që në Milano pëlqente ndalesat në Galeri, dyqanet në Corso Vercelli dhe “takimet” mes Porta Venezia dhe Piaza della Repubblica dhe që mund të jetë fshehur në Greqi, përdorte rolin e tij si zyrtar për të lëvizur drogën dhe të njoftohej në kohë reale mbi lëvizjet e prokurorëve dhe policisë.
Që në drejtësinë shqiptare diçka nuk funksionon, kjo dihet: kriminelët në prag të arrestimit të autoriteteve të huaja marrin informacione dhe arratisen. E konsideruar nga shumë si “Kolumbia e Europës” për prodhimin e drogave, “rafineritë” dhe klanet që bëjnë miliona me drogë, Shqipëria po sheh një luftë të ashpër mes shërbimeve sekrete dhe qeverisë. Të parët akuzojnë të dytët se kanë autorizuar përgjime të paligjshme, falë pajisjeve të prodhuara nga një kompani italiane, lider në sektorin e përgjimeve.
Kompania dyshohet se ka përdorur kanale mbështetëse për të hyrë në tregun shqiptar: ka kaluar përmes ambasadës italiane dhe në veçanti nga ish–shefi i polices, Anna Poggi (misioni policor italian, Interforce që vepron në Shqipëri). Nëse këto janë gënjeshtra, fryt i një fushate helmatisëse apo të vërteta, këtë mund ta vendosin vetëm hetimet e ardhshme.

Komplote dhe rrugët

Zyrtari i Interforce në Tiranë dyshohet se ka “lidhje familjare” me këtë kompani. Përsa i përket Poggi-t, gjatë G8 në Genova, ishte përgjegjëse e zyrës së trajtimit të akteve në kazermën Bolzaneto. As dënimi në Gjykatën e Lartë nuk e pengoi avancimin e saj në karrierë. Ajo u promovua si detektive e më pas si diplomate në Shqipëri dhe u vendos në krye të koordinimi të zyrës së Interfoce me Interpol. Kur shpërtheu rasti i Dritan Zaganit, Anna Poggi u lëviz në mënyrë të çuditshme nga Ministria e Brendshme italiane. Historia e saj ngre disa pikëpyetje: nëse e dinte dhe çfarë dinte për Zaganin, cilat ishin raportet e saj me Tiranën, çfarë e mban “të lidhur” me politikanë shqiptarë të rangut të lartë dhe disa zyrtarë. Këto pyetje dhe hetimet mund të gjenerojnë zhvillime hetimore dhe të zbulojnë praninë e një “sistemi” të ndërlikuar. Mbi të gjitha, droga vazhdon të kalojë: nga Shqipëria, ndonjëherë pasi bëhet një ndalesë në ishujt grekë, lëviz drejt Italisë dhe ngarkohet mbi kamionë për t’u shpërndarë në Milano.

Artikulli paraprakBalili e kalonte drogën nga Porti i Durrësit në vendet e BE
Artikulli tjetërBasha: Përgjimet, krim shtetëror, pajisja pa lejen e Prokurorisë