“Corriere della Sera” nxin Ramën: “Trafiqe dhe tregime nga Albanistani”

Trafiqe dhe tregime nga “Albanistani”. Kështu titullohet artikulli i botuar sot në gazetën italiane “Corriere della Sera”, ku trajtohen lidhjet e Shqipërisë me drogën, nivelin e lartë të korrupsionit, pagat e ulëta të policëve dhe grupet kriminale shqiptare që veprojnë nga Europa deri në SHBA.
Në artikullin e Andrea Galli-t, i cili është botuar edhe në faqen e parë të numrit të sotëm të gazetës, flitet për “narko-shtetin”, një term i përdorur gjerësisht nga opozita shqiptare.
“Përkufizimi i “narko-shtetit” ka në themel të tij rregullimet e hesapeve, tonelatat e drogës, krimet e eksponentëve shtetërorë të kamufluar si aksidente rrugore, djemtë që joshen nga kriminelët dhe transformohen në vrasës, lidhje mes politikanëve dhe narkotrafikantëve shqiptarë, e cila nuk mbetet më vetëm në kuadër të prodhimit të marijuanës, por është futur edhe në kanalet ndërkombëtare të kokainës, në aleancë me ’ndrangheta-n dhe klanet amerikano-jugore”.
Artikulli në Corriere della Sera flet edhe për “rregullin e parave”, sipas të cilit niveli i korrupsionit është aq i lartë duke u kthyer në kulturë për shqiptarët.
“Një zakon i përhapur aq shumë, saqë kur një qytetar ndalohet nga policia për një kontroll rutinë, bën gati paratë. Kurrë nuk i dihet, edhe pse nuk ka kryer asnjë krim. Një polic fiton mesatarish 300 euro në muaj.

Ndikimi i partive nuk ka të ngjashëm në Europë. Me ndryshimin e pushtetit, ndërrohen edhe kolltuqet, të rëndësishëm ose jo. Policët e thjeshtë mund të transferohen nga një anë e vendit në tjetrën. Ato paga mjerane nuk u lejojnë të blejnë një makinë, ndërsa mjetet e transportit publik janë të vjetëruar, e kështu ndodh shpesh që t’i gjesh policët duke bërë autostop…”, thuhet ndër të tjera, percjell opinion.
Artikulli në fund flet për grupet kriminale shqiptare që ndodhen në gjithë Europën dhe në Amerikë, si në Nju Jork, Londër dhe Roterdam, grupe të cilat kontrollojnë trafikun e hashashit dhe kokainës. “Në një vend ku spikat patriotizmi, me një ndjenjë të rrallë mikpritjeje dhe me një natyrë të mrekullueshme, jetojnë të lirë dhjetëra të kërkuar, të dënuar në Itali por jo të arrestuar. Me 200 mijë euro mund të fitohet pandëshkueshmëria e përjetshme”, përmbyllet artikulli i “Corriere della Sera”.

t

Exit mobile version