Franca dhe Belgjika po përgatiten për të dalë nga karantinë. Në një lidhje direkte nga Brukseli në “Abc-ja e mëngjesit”, gazetarja Erisa Zykaj foli për fazën e dytë që po ndodh në këto shtete.
Zykaj tha mes të tjerash se në Belgjikë po bëjnë përgatitjet për daljen nga karantina në fund të majit.
“Kemi dëgjuar dy programe të ndryshme të daljes nga karantina edhe nga qeveria franceze dhe ajo belge. Duhet së pari që të shohin kriteret kryesore, numri i të prekurve nga koronavirus, së dyti duhet të shihet numri i pacientëve të shtruar në terapi intensive dhe duhet të dedektohen personat që janë të infektuar me mënyra të gjurmimit. Këto janë tre kriteret bazë. Në Belgjikë ne kemi pasur një karantinë jo strikte.
Kryeministrja ka deklaruar se duke filluar nga 4 maj bizneset do të jenë në funksion duke respektuar masat për distancimin social. Ajo ka deklaruar se tashmë shkollat duhet të bëhen gati, duke filluar nga data 15-18. Por kjo i është lënë si kompetencë krahinave. Kemi një zbutje të këtyre masave. Ka qenë për 3 muaj. Karantina pritej që të përfundonte në fund të majit. Prandaj, dalja nga karantina është në mënyrë graduale. Kemi dëgjuar se në fund të majit do të kemi rihapjen e bareve, restoranteve, do të shkohet drejt një jete sociale normale”, u shpreh ajo.
Gazetarja theksoi më tej se në Belgjikë po diskutohet që në fund të majit të nisë udhëtimi brenda vendit, por nuk përjashtohet edhe mundësia e hapjes së kufijve brenda shteteve anëtare të BE.
“Është folur për mundësinë e udhëtimit brenda ditës në qytete. Ndërsa në fund të majit, diskutohet që belgët të udhëtojnë jashtë Belgjikës. Kjo na jep shpresën që ndoshta nga fundi i majit shtetet e BE të bëhen gati për hapjen e kufijve. Janë disa tregues që na bëjnë të mendojnë se mund të ketë një fillim të udhëtimeve edhe jashtë BE, sepse ne na interesojnë udhëtimet nga Ballkani në BE dhe anasjelltas”, tha gazetarja.
Krahasuar me situatën në Shqipëri, ku përflitet që masat do të jenë shtrënguese deri në daljen e vaksinës, Zykaj citoi kryeministrin francez, i cili dje u shpreh se duhet të mësohemi të jetojmë me virusin.
“Ka shumë shtete që po përfitojnë nga situata për të ushtruar cenimin e të drejtave të njeriut. Kemi dëgjuar edhe nga kryeministri francez dje që ne duhet të mësohemi të jetojmë me virusin. Duhet të shkojmë drejt imunitetit masiv. Nuk është zgjidhje karantinimi deri në zbulimin e vaksinës”, tha ajo. /abcnews.al