Shkencëtarët po këshillojnë për kujdes pas njoftimit nga kompania Pfizer se vaksina e saj kundër COVID-19 ka dëshmuar një nivel efektiviteti më të lartë se 90%. Vaksina në fjalë është testuar tek 43,500 njerëz në gjashtë shtete pa ngritur shqetësime për sigurinë. Megjithatë, ende nuk janë publikuar të gjitha të dhënat shkencore.
Ndërsa njoftimi nga firma Pfizer është një lajm i mirëpritur, shkencëtarët dhe mjekët po paralajmërojnë se çdo festim është i parakohshëm. Detajet e publikuara nga kompania Pfizer, e cila ka bashkëpunuar me firmën gjermane BioNTech, janë thjesht paraprake.Ajo ka në plan të marrë miratimin nga qeveria federale për përdorim emergjent deri nga fundi i muajit.
Vaksina në vetvete është shumë e ndryshme nga të tjerat, shpjegon Dr. Simon Clarke, profesor i mikrobiologjisë në Universitetin Reading.
“Është një mënyrë e re e ndërtimit të vaksinës për të cilën njerëzit janë përpjekur pa sukses për shumë vite. Një pjesë e vogël e materialit gjenetik (RNA acidi ribonukleik) dhe kopje të tij injektohen tek njeriu. Qelizat muskulore tërheqin molekulën e lirë dhe formojnë proteina nga virusi. Pra jo virusin në vetvete, por copëza të vogla nga virusi. Sistemi imunitar reagon me pëgjigje imune ndaj tyre. Mënyra tradicionale e vaksinës është kur merret virusi i tërë, i cili asgjesohet me nxehtësi apo kimikate, ose copëza të virusit dhe injektohen tek njerëzit për të aktivizuar një përgjigje imune.”
Në mbarë botën po testohen mbi 200 vaksina për koronavirusin. Rreth 12 prej tyre janë në fazat përfundimtare të provave.
Ajo për të cilën shkencëtarët ende po presin të shikojë, është nëse kjo vaksinë, që administrohet me dy doza do t’u japë njerëzve mbrojtje dhe imunitet të qëndrueshëm. Profesoresha Azra Ghani me Kolegjin Imperial të Londrës thotë se duhet patur kujdes.
“Këto rezultate të hershme janë bazuar në vetëm pak raste dhe duhet patur parasysh afati i shkurtër kohor. Pra, rezultatet janë raportuar vetëm shtatë ditë pas dozës së dytë të vaksinës.”
Sado e sukseshme të jetë vaksina nga Pfizer, nuk do të jetë e lehtë shpërndarja e saj në të gjithë botën, dhe thjesht nuk është e përshtatshme për rajone të varfra ku mungon furnizimi i vazhdueshëmme energji elektrike.
Që të ketë efekt, vaksina duhet të ruhet në temperatura shumë të ulta ngrirje të një niveli industrial. Nga momenti që del nga prodhimi e deri në injektimin tek pacienti, vaksina duhet të ruhet në temperaturën minus 80 gradë celsius.
“Fatkeqësisht do të jetë sfidë për botën në zhvillim. Madje edhe për botën e zhvilluar, mendoj se vaksinat do të injektohen në qendra lokale në vend që të shpërndahen tek mjekët, farmacitë apo klinikat, si vaksinat e zakonshme. Sepse ato nuk i kanë kushtet për të mbajtur vaksinën në temperaturën minus 80 gradë celsius. Frigoriferë të tillë industrialë nuk prodhohen në masë”, thotë Dr. Simon Clarke, profesor për mikrobiologjinë celulare në Universitetin Reading.
Shumë shkencëtarë po paralajmërojnë se edhe në vendet shumë të zhvilluara do të jetë pranvera e vitit 2021, para se jeta të kthehet në ndonjë lloj normaliteti./ VOA