Ç’po ndodh me Mavrajn?

Traineri i Hamburger SV, Christian Titz (46 vjeç), po mundohet të ushqejë shpresën e mbetur për mbijetesë në Bundesliga, teksa rrezikon shumë. Pas mesfushorit Walace, mbrojtësi qendror shqiptar, Mërgim Mavraj (31 vjeç), nga tani e tutje dhe deri në një urdhër të mëtejshëm do të stërvitet me U-21 të klubit. Kjo gjë i është thënë lojtarit tonë të kombëtares nga shefi i përkohshëm sportiv, Thomas von Heesen, dhe drejtori sportiv, Bernhard Peters. “Për arsyet e stërvitjes, drejtuesit e ekipit vendosën të mos luajë Mërgim Mavraj, që nga sot. Prandaj, ne e kemi udhëzuar atë të vazhdojë trajnimin me U-21 deri në një njoftim tjetër”, tha Peters. Mavraj ka bërë këtë sezon 17 paraqitje në Bundesligë, teksa në miqësoret parasezonale krijoi me Kyriakos Papadopoulos duetin e qendrës së mbrojtjes së Hamburger SV, por më pas humbi terren dhe së fundi nuk po aktivizohet thuajse fare. Dërgimi te U-21 duket se e mbyll sezonin për 31-vjeçarin, i cili dëshmoi edhe në miqësoren e fundit me kombëtaren se ka probleme të theksuara fizike.

Exit mobile version