Zbatimi i ligjit për kompensimet e pronave, ka qenë një ligj që pronarët ose nuk e kanë ndjerë ose e kanë arritur me shumë mund e shpenzime, edhe pse mund ta kenë patur pronën me vendime gjykatash.
Nga 25 mijë pronarë në pritje për të marrë atë që iu takon, në harkun e vitit 2023 kanë aplikuar vetëm 329 prej tyre. Sakaq, puna e gjithë institucionit është përmbyllur me vetëm 9 dosje të ekzekutuara, gjysma e të cilave të ardhura si aplikime me kërkesë të veçantë ku shteti është ai që përfiton më shumë se pronari.
Një pengesë kryesore, sipas juristëve, kanë qenë betejat ligjore të institucionit që kanë pezulluar procesin e kompensimit. Në raportin vjetor të Agjencisë së Trajtimit të Pronave evidentohet se 2/3 e fondit të parashikuar për kompensimin e pronave nuk është ezauruar duke e kaluar fondin e mbetur prej 2.3 miliardë lekësh në buxhetin e Financave.
Ndryshe nga sa mund të thuhet për numrin e aplikimeve, ankesat e regjistruara janë me mijëra. Sipas raportit të auditit, brenda një viti janë depozituar 2.216 ankesa qytetarësh përmes platformës e-Albania për trajtim dosje me specialistin si dhe kërkesë për statusin dhe problematikat e dosjes.
Çfarë po ndodh me ligjin për pronën?
Me ndryshimet e bëra në vitin 2022 u rishikua skema e kompensimit për ato familje që preken nga ndryshimi i zërit kadastral. Pra, bëhet fjalë për ato familje që kanë patur një tokë, e cila aktualisht ka statusin e tokës truall por në momentin e konfiskimit rezulton jashtë vijës së verdhë. Në këto raste, ligji përcakton që pronarët të përfitojnë 10% të vlerës së kompensimit. Nga ndryshimet preken edhe ato familje që kanë përfituar më herët një pjesë të pronës, pra iu është kthyer. Nëse me ligjin e mëparshëm këto familje konsideroheshin të kompensuara, me skemën e re do të marrin 10% të diferencës ndërmjet pronës së mbetur dhe asaj të kthyer.
Teksa janë me mijëra qytetarët që nuk po arrijnë dot të zgjidhin problematikën e pronësisë së pasurive të paluajtshme, duke kërkuar zgjidhje nga shteti, si për ironi ky i fundit duket se është i zënë në të njëjtin “çark”.
Por problemi me pronat është dëgjuar rëndom të ketë individi por që dhe vet shteti të kishte probleme me pronat e tij kjo nuk ishte menduar ndonjëherë.
Një auditim i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës ka dalë në përfundimin se nuk ka një inventar të plotë të pasurive shtetërore dhe publike, ndërkohë që procesi i regjistrimit të tyre është shumë larg objektivave.
Audituesit nënvizojnë se nga sektori i procedurave të transferimit të pronës shtetërore, për institucionet qendrore dhe ato në varësi të tyre që nga viti 2003 deri në 2022, janë miratuar 82 VKM, ndërsa për institucionet e pavarura janë miratuar 6 VKM.
“Në nivel qendror, referuar listave të miratuara në Republikën e Shqipërisë rezultojnë përafërsisht 16,572 prona, nga të cilat 11,385 prona i përkasin Shoqërive Anonime, me aksionarë shtet. Në total rezulton se nga 16,572 prona shtetërore të miratuara nëpërmjet 88 VKM-ve, vetëm 1302 prej tyre janë regjistruar ose 9%. Raportimi i shifrave në lidhje me pasuritë shtet bëhet përmes emërtesës “pronë”, por duhet theksuar se një pronë e pasqyruar në listat e inventarit të institucioneve shtetërore mund të përbëhet nga disa pasuri,” thuhet në raport.
Shkak për këtë situatë duket se janë kostot që shoqërojnë procedurën e regjistrimit të një prone. Për çdo procedurë pranë Kadastrës duhet të paguash një tarifë dhe kjo ngarkesë vlerësohet e papërballueshme nga bashkitë.
“Nga auditimi rezulton se pengesa kryesore në regjistrimin e pasurive shtetërore nga ana e bashkive është tarifa e regjistrimit. Transferimi i pronave me Vendime të Këshillit të Ministrave nuk është shoqëruar edhe me asistencë financiare, përmes përfshirjes së këtyre fondeve në fondin e pakushtëzuar apo në fondet specifike që bashkitë marrin për funksione të caktuara. Ndryshimet e reja ligjore, konkretisht Ligji 20/2020 ndonëse i kushton një rëndësi të veçantë në Kreun IV përditësimit, inventarizimit, transferimit dhe regjistrimit të pronave shtetërore, në nenin 43, parashikon se tarifa e regjistrimit për institucionet shtetërore dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore do të jetë e reduktuar. Por, ky përcaktim ligjor nuk është i reflektuar në Vendimin nr. 389, datë 13.5.2020 “Për miratimin e listës dhe të tarifave të shërbimeve kadastrale”, duke mos përcaktuar në asnjë dispozitë sesi do të bëhet ky trajtim i diferencuar përmes tarifave të reduktuara dhe në ç’masë do të jetë kjo tarifë,” thuhet në dokumentin e KLSH-së.
Lidhur me këtë problematikë është rekomanduar që së pari të jetë ASHK ajo që duhet të marri masa për të përcaktuar nivelin e reduktuar të tarifave për regjistrimin e pasurive të paluajtshme shtetërore, duke e vlerësuar këtë nivel në bashkëpunim me Drejtorinë e Financave Vendore në Ministrinë e Financave, me qëllim që pagesa e këtyre tarifave të mos krijojë kosto të mëdha për buxhetet e bashkive.
Nga 260 000 prona shtetërore në territorin e Shqipërisë, 115 000 u janë transferuar institucioneve vendore e qendrore, por prej tyre vetëm rreth 20 000 rezultojnë të regjistruar në Kadastër.
Me kalimin e viteve, me transformimin e ekonomisë, me ndryshimet ligjore, me rritjen e numrit të trashëgimtarëve, gjërat në vend të marrin zgjidhje kanë pësuar komplikime të reja. Rasti i Nik Palokajt, që ia ka kushtuar 20 vite kësaj çështjeje është vetëm një prej atyre që sorollatet dyerve të institucioneve, pa mundur të shohë pronën e tij të lirë dhe të mund të ndërtojë aty atë që ka ëndërruar./ BalkanWeb.com