Ç’po ndodh me prodhimin vendas? Në gusht blemë 4 herë më shumë ushqime sesa shitëm

Në muajin gusht Shqipëria bleu rreth 4 herë më shumë ushqime pije e duhan sesa eksportuam drejt vendeve të tjera. Të dhënat e raportit të tregtisë së jashtme tregojnë se kulmin e sezonit veror, importet u rritën më tej si pasojë e konsumit të lartë për shkak të turizmit ndërsa eksportet vijuan pikiatën.

Nga 3 miliardë lekë produkte ushqimore të shitura në tregjet ndërkombëtare, ne blemë prej tyre rreth 14.2 miliardë lekë për vendin tonë.

Kjo situatë ka shqetësuar unionin tregtar, kryesisht prodhuesit vendas. Një euro e dobët ka bërë që prodhimet shqiptare të shitura në vendet e tjera të bien me 18.2%, duke sjellë fitimet më të ulëta në 2 vitet e fundit, në 22 miliardë lekë.

Ndërsa importet qëndrojnë më të larta se 1 vit më parë. Janë kryesisht mineralet, lëndët djegëse por dhe teksilet e këpucët që ndikuan negativisht tek eksportet.

Nga ana tjetër importuam më shumë ushqime, produkte kimike, makineri e pajisje. Për shkak të rënies së eksporteve dhe rritjes së importeve muajin e kaluar, u thellua dhe më tej deficiti tregtar, i cili arriti në 47 miliardë lekë. Ky deficit vijon të jetë ndër më të lartët në 3 vitet e fundit. (Marinela Lina)

Exit mobile version