Por jo vetëm kaq, Këpuca e Artë e “Euro 2020” është lojtari me më shumë ndeshje 28, me më shumë fitore (14) në historinë e këtij kompeticioni. Për më tepër në humbjen kundër Gjeorgjisë për të ishte ndeshja e 50-të mes Europianëve dhe Botërorëve. Pa dyshim, ky kampionat ka sjellë edhe një version të Ronaldos që nuk e kemi parë kurrë. Për herë të parë në një fazë grupesh të një turneu të rëndësishëm, ai nuk ka gjetur golin.
Deri tani ka luajtur 10 të tillë, 5 Europianë dhe 5 Botërorë. Në vitin 2004 shënoi 1 gol, ashtu si edhe në vitet pasardhëse, Botërorin e vitit 2006, Europianin e vitit 2008 dhe Botërorin e 2010-ës. Dy vite më vonë e mbylli me 2 gola fazën e grupeve, ndërsa në Brazil shënoi vetëm 1.
Me radhë, 2 gola, 4 gola, 5 gola, 1 gol dhe për të mbërritur tek Europiani i këtij viti me asnjë gol. Por fakti që nuk ka gjetur rrugën e rrjetës nuk ka influencuar shumë në lojë. Ai është futbollisti me më shumë goditje drejt portave kundërshtare (12), i treti që ka çuar goditjet në kuadrat.
Por pa dyshim goli është duke i munguar, të paktën për tani. Kundër Gjermanisë protestoi për një penallti, u ndëshkua me karton të verdhë. Ronaldos i mbeten edhe 2 rekorde të ndryshme për të thyer: Të bëhet lojtari që shënon në 6 Europianë të ndryshëm dhe të thyejë Luka Modriçin, si lojtari më i vjetër që ka shënuar në Europian. Kroati e mban këtë rekord në moshën 38- vjeç dhe 289 ditë. Ronaldo është 39 vjeç dhe 132 ditë. Shumë media kanë filluar të ngrenë dilema dhe pikëpyetje për Kristiano Ronaldon nëse e meriton apo jo vendin e titullarit në kombëtare. “Ai nuk është më i fortë fizikisht, ka humbur shënjestrën dhe sensin e golit. Është një lojtar që po i jepet më shumë hapësirë nga sa meriton. Duhet ta kuptojë edhe vetë”, shkruan “The Guardian”. Megjithatë, Ronaldo ka të gjithë besimin e trajnerit Martinez.