Pas ankesave të shumta të bizneseve për procedurat e zvarritura të çregjistrimit të aktivitetit, financat kanë parashikuar disa ndryshime ligjore që synojnë thjeshtimin e tyre. Ndryshimet në ligjin e procedurave parashikojnë, që nëse organi tatimor nuk i përgjigjet Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB) ose Gjykatës brenda afatit 30 ditor, QKB ose Gjykata çregjistron automatikisht subjektin dhe njofton në të njëjtën ditë organin tatimor dhe subjektin. Ndërsa, nëse gjatë kësaj periudhe 30 ditore Administrata Tatimore e kundërshton me shkrim çregjistrimin atëherë Qendra Kombëtare e Biznesit ose Gjykata nuk mund të kryejë çregjistrimin.
Edhe në procedurat e mëparshme parashikoheshin afate të tilla, por në ndryshimet e propozuara tatimet “shtrëngohen” që ta bëjnë kontrollin brenda 30 ditëve. “Organi tatimor kompetent, brenda 10 ditëve kalendarike nga data e paraqitjes së kërkesës për çregjistrim, është i detyruar të verifikojë situatën tatimore të subjekteve dhe njofton njëkohësisht QKB-në dhe subjektin. Kur organi tatimor sipas një analize risku, gjykon se është e nevojshme të ushtrojë kontroll në mjedisin ku ushtron veprimtarinë subjekti atëherë ky afat nuk mund të jetë më shumë se 30 ditë, përfshirë kryerjen e kontrollit”. Është shtuar gjithashtu dhe një nen për transparencën, sipas të cilit “Për çdo procedurë që organi tatimor dhe QKB kryejnë sipas këtij neni, që kur fillon procedura e çregjistrimit dhe deri në çregjistrimin përfundimtar, i njoftohet në të njëjtën kohë edhe subjektit”.
Ankesat e bizneseve
Bizneset janë ankuar vazhdimisht se po hasin vështirësi në çregjistrimin e bizneseve. “Ka shumë raste kur subjekti nuk ka detyrime në tatime apo institucione të tjera dhe përsëri statusi i mbetet aktiv, pasi komunikimi mes QKB dhe institucioneve të tjera është inekzistent”, thotë një kontabilist që mban bilancin e disa firmave. Ai thotë se në rastet kur biznesi aplikon për mbyllje dhe nuk bën deklaratat me zero për formualarët e gjeneruar nga sistemi për periudhën pas aplikimit për mbyllje gjenerohen gjoba 10 mijë lekë për çdo formular.
Megjithëse, sipas ligjit të procedurave duhet të fshihen gjobat për mosdeklarim pas aplikimit për mbyllje, kontabilisti thotë se gjobat jo vetëm nuk pastrohen, por shtohen. QKB, në bazë të ligjit, ka sqaruar se detyrohet të refuzojë kërkesat për çregjistrim, pasi bizneset duhet që më parë të kenë shlyer të gjitha detyrimet tatimore.
Ndryshimet e reja parashikojnë gjithashtu që, “Nëse pavarësisht shlyerjes së detyrimit për të cilin është kundërshtuar çregjistrimi, organi tatimor kompetent nuk ka tërhequr kundërshtimin, atëherë subjekti paraqet pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit dokumentin që vërteton shlyerjen e këtyre detyrimeve tatimore. Në këtë rast, Qendra Kombëtare e Biznesit kryen menjëherë çregjistrimin e subjektit dhe njofton menjëherë organin tatimor kompetent dhe subjektin”.
Në pesë muajt e parë të vitit, sipas kërkesave nga QKB janë 7571 biznese që kanë bërë kërkesë për t’u çregjistruar. Sipas QKB, nga të dhënat statistikore rezulton se aplikimet për çregjistrim për periudhën kohore janar – maj vitin 2016 kanë pësuar një rritje prej 25% krahasuar me të njëjtën periudhë kohore të vitit 2015.
Por, jo të gjithë bizneset arrijnë të çregjistrohen. Sipas të dhënave të mëparshme të QKB-së, për 4-mujorin u çregjistruan vetëm rreth 2500 biznese, apo gati tre herë më pak se kërkesat për çregjistrim.