Cristiano Ronaldo një muaj larg fushave

Fillimisht u mendua për një dëmtim të rëndë, por mesa duket për gjurin e Cristiano Ronaldos nuk ka asgjë serioze. Sulmuesi portugez që festoi gjatë trofeun e parë për kombëtaren e tij, duhet të bëjë rreth një muaj pushim dhe më pas mund të rikthehet në fushën e lojës. Ronaldo e braktisi finalen gjatë pjesës së parë, por kjo nuk e pengoi të karikonte ekipin gjatë gjithë takimit, duke rrezikuar madje një dëmtim edhe më të rëndë. Menjëherë pas festës në Paris, numri 7 iu nënshtrua analizave më të detajuara dhe sipas informacioneve, ai ka pësuar një dëmtim të gradës së parë në pjesën e brendshme të ligamentit të gjurit të majtë.
Në Madrid, drejtuesit e Realit, pasi eliminuan frikën më të madhe, gjithsesi duhet t’i bëjnë mirë llogaritë pasi Cristiano Ronaldo nuk do të jetë gati për ndeshjen e Superkupës së Europës kundër Sevillas në datën 9 gusht. Goditjen e rëndë, Ronaldo e mori në minutën e 9 të finales nga Payet dhe pavarësisht tentativave të tij për ta vazhduar ndeshjen, gjuri e tradhtoi dhe ai u detyrua të ngrinte flamurin e bardhë. Tashmë, sulmuesi portugez duhet të ndjekë një program të specializuar për rikuperimin e plotë pas 30 ditëve edhe pse fillimisht do të mendojë për pushimet e merituara pas një sezoni të gjatë dhe të lodhshëm që kulmoi me trofeun e Champions League dhe atë të Euro 2016.

Artikulli paraprakKampionia që askush nuk e priste
Artikulli tjetërKrenar për Portugalinë