Juventusi pritet të bëjë ndryshime sot në shtabin teknik. Mediat e huaja raportojnë se “Zonja e Vjetër” do të shkarkojë sot trajnerin, Andrea Pirlo. Ish-futbollisti italian e kaloi një sezon të vështirë në Torino duke mbetur pa trofe të rëndësishëm, ndërkohë që e fitoi Kupën e Italisë dhe mezi e kualifikoi Juven në Champions League.
Edhe pse vetë do të dëshironte ta vazhdojë eksperiencën me Bardhezinjtë, drejtuesit e këtij klubi duket se kanë plane të tjera. Mediumi britanik “Daily Mail” shkruan se, Juve do ta shkarkojë sot Pirlon dhe menjëherë do ta zyrtarizojë rikthimin e Massimilano Allegrit. Trajneri italian është në kontakte me Real Madridin për ta zëvendësuar Zinedine Zidanen.
Por, duket se “Bianconeri” janë treguar më të shkathtë dhe e kanë bindur ish-trajnerin e Milanit të rikthehet në Juventus. 53 vjeçari e kishte një eksperiencë të suksesshme në Torino duke i fituar pesë tituj të kampionit të Italisë radhazi me Juven. Megjithatë, në Evropë nuk është se ka pasur ndonjë sukses. E Juventusi është i uritur qe një kohë për ta fituar Championsin, të cilin po e pret me dekada.