Dalin emrat e trafikantëve shqiptarë që u kapën në Napoli me heroinë

Mediat italiane kanë publikuar emrat e 21 të arrestuarve dhe 5 personave në kërkim në lidhje me operacionin “Smoke Snake”, që u zhvillua dje në Napoli nga policia italiane. Tre shqiptarë janë arrestuar nga policia italiane, ndërkohë që katër të tjerë janë të shpallur në kërkim. Shqiptarët e arrestuar janë Luan Çika alias Luan Hyseni, 36 vjeç, Everton Ndreraj, 26 vjeç dhe Eduard Shehaj, 39 vjeç. Ndërkohë, katër shqiptarët e tjerë në kërkim janë Arian Demiri, 30 vjeç, Altin Xoxa, 47 vjeç, Mirjan Xhemalaj, 56 vjeç dhe Xhimi Isiu, 33 vjeç.
Heroina dhe kanabisi trafikohej në Napoli të Italisë nga Turqia dhe Holanda. Konkretisht, heroina nga Turqia dhe kanabisi nga Holanda. Ky hetim ka nisur nga pala italiane që në qershor të vitit 2016 dhe prej një viti janë sekuestruar 8 kg heroinë dhe 38 kg marijuanë të kësaj organizate. Ndërkohë, policia thotë se janë sekuestruar edhe 500 mijë euro pasuri të këtij grupi kriminal, që janë 2 apartamente, 1 makinë, 65 llogari bankare 18 mijë euro në cash dhe 3 kompani.
Hetimet nisën në maj të vitit 2016, kur efektivët e Kompanisë së Guardia di Finanza të Marcianise vunë nën vëzhgim të rreptë një rrjet shpërndarësish droge që vepronte në zonat e Marcianise, Capodrise, Macerata Campania dhe Portico di Caserta. Kjo fazë e parë u mbyll me sekuestrimin e mbi 250 dozave heroinë të llojit “Cobret” dhe arrestimin e 4 shpërndarësve, pjesë e grupit kriminal.
Duke u nisur nga gjetjet e para, me koordinimin e Prokurorit të Napolit – Antimafia, u arrit të ngjitej në kanalet nga ku kalonte droga, duke zbuluar një përbërje kriminale shumë më të artikuluar dhe më të gjerë.
Nga hetimet e mëvonshme, doli se në zonën midis Casandrino, Grumo Nevano, Melito dhe Acerra vepronte një rrjet i vërtetë trafikantësh që bashkëpunonin mes tyre për të importuar heroinën nga jashtë. Një kartel i vërtetë prej 4 grosistësh që binin dakord të vendosnin kapitalin e nevojshëm për të bërë blerje kumulative dhe pastaj të ndanin sasitë që do të shpërndaheshin në territorin nëpërmjet ekipeve të tyre me pakicë.
Një sistem furnizimi i kolauduar që garanton një fluks të vazhdueshëm të drogës që vinte nga Turqia dhe Holanda, dhe që hynte në Itali gjithmonë përmes Shqipërisë. Për këtë arsye, Prokuroria e Napolit ka aktivizuar menjëherë një kanal bashkëpunimi gjyqësor me Prokurorinë shqiptare, që lejoi marrjen e shpejtë të informacioneve të rëndësishme rreth grupit kriminal që vepronte atje, që ishte ndërkohë duke u hetuar nga Prokuroria e Tiranës.

Artikulli paraprakGjykata lë në burg sekserin e gjyqtarit
Artikulli tjetërDroga në Vilun, një tjetër i arrestuar