Dani Alves, e ardhmja në Premier League

Dani Alves lë të hapur mundësinë e kalimit në Premier League, në të ardhmen. Braziliani i Paris Saint-Germain deklaron se gjatë merkatos së verës kishte rastin të transferohej në Angli te Manchester City, prej Pep Guardiolës, por në fund zgjodhi parizienët, pasi aty kishte dhe shumë miq të tij. Megjithatë mbrojtësi nuk e fsheh dëshirën se pas disa kohësh synon të luajë në Premier League. 34-vjeçari ka kontratë me klubin francez deri në vitin 2019.
Ndërkohë, sulmuesi uruguajan i Barcelonës, Luis Suarez, ka dhënë një intervistë për katalanasen “Sport”, ku ka folur edhe për Neymar, që verën e këtij viti la “Camp Nou” dhe u transferua te PSG për një shifër rekord, 222 milionë euro. “Largimi i Neymar na ka peshuar edhe më shumë, sepse ishte i veçantë. Ai na bënte të qeshnim shumë, i transmetonte lumturinë dhe gëzimin e vet skuadrës gjatë gjithë kohës. Neymar ka qenë i rëndësishëm për ne. Tani ai është në një ekip tjetër, por unë nuk kam ndonjë pakënaqësi, përkundrazi, gjithmonë jam përpjekur që të qëndronte te Barcelona, sepse mendoj se këtu do të ishte më mirë”, tha ai.
“Në të vërtetë, Neymar është i pjekur të dijë nëse është penduar që e ndërmori këtë hap. Ai duhet të dalë dhe ta thotë atë që ndjen. A ka kërkuar këshilla nga unë dhe Messi para se të pranonte ofertën e PSG? Më shumë se këshilla, ai kishte dyshime për vendimin që po merrte. Ne donim që të qëndronte, pa diskutim, duke u nisur nga dobia që kishte si partner i sulmit. Ne u përpoqëm që të qëndronte, por në asnjë moment nuk i kemi thënë: “Neymar, mos u largo, sepse nuk do të jesh i lumtur”! Ne i thamë atij se nuk duam që të largohet, por nëse donte ta bënte këtë, ishte i lirë të merrte vendimin që donte. Për shkak të miqësisë që kemi, ishte e dhimbshme që ai u largua”, u shpreh Suarez.

Exit mobile version